E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Dy të arrestuar në Prishtinë për keqpërdorimin e mbi 62 mijë eurove nga grantet ndërkombëtare

Dy të arrestuar në Prishtinë për keqpërdorimin e mbi 62 mijë eurove nga grantet ndërkombëtare

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kanë keqpërdorur 62 mijë e 902 euro nga grantet ndërkombëtare, siç njofton KosovaPress, duke iu referuar Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës, hetimet për këtë rast kanë nisur më 10 korrik të vitit 2025, pas një informacioni të pranuar nga një organizatë ndërkombëtare që operon në Kosovë. Të dyshuarit kishin përfituar dy grante, në vlerë totale 87.000 euro, për organizimin e disa ngjarjeve sportive, kulturore dhe rinore.

Nga granti i parë, në vlerë prej 47.000 eurosh, i destinuar për organizimin e një ngjarjeje sportive, dyshohet se janë keqpërdorur 42.000 euro. Ndërkaq, nga granti i dytë, në vlerë prej 40.000 eurosh, për organizimin e disa ngjarjeve kulturore dhe rinore, dyshohet se janë keqpërdorur 20.902 euro. “Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62.902 euro në tërësi”, thuhet në njoftimin e policisë, që e transmeton KosovaPress.

Arrestimi i dy të dyshuarve është realizuar më 11 nëntor, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e datës 4 tetor 2026. Pas intervistimit, në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Lini një koment