Tuesday, 1 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaE blinte kokainën me kriptomonedha, kush është biznesmeni Nexhmedin Danaj që u kap në Abu Dhabi! Pjesë e grupit të “Vis

E blinte kokainën me kriptomonedha, kush është biznesmeni Nexhmedin Danaj që u kap në Abu Dhabi! Pjesë e grupit të “Vis

Biznesmeni Nexhmedin Danaj, 57 vjeç, është arrestuar provizorisht në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Hetimi lidhet me trafik ndërkombëtar të kokainës dhe me një rrjet aktiviteti mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera europiane. Në operacionin “Ura” u lëshuan 52 masa sigurie nga autoritetet shqiptare dhe italiane.

Në kuadër të operacionit “Ura”, u raportua edhe për sekuestrimin e pasurive dhe kompanive që autoritetet dyshonin se lidheshin me aktivitetin kriminal. Në listën e raportuar përfshihej edhe “Dubai Inn” dhe “Vlora Cable”, të lidhura me Danajn.

Nexhmedin Danaj është i njohur si pronar i kompanisë “Vlora Cable” në Vlorë, një shoqëri që operon në fushën e televizionit kabllor dhe ofron shërbime televizive për qytetin e Vlorës.

Televizioni ‘Vlora Cable’ që është sekuestruar në Vlorë, rezulton të jetë në pronësi të Nexhmedin Danajt, i cili në emër të gruas Algerta Fejzullau ka një tjetër biznes, “Dubai Inn”, në fushën e hoteleri dhe turizmit.

Sipas hetimeve, dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme në disa shtete, me qëllim blerjen e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit drejt Shqipërisë.

Lini një koment