“E godita me 3 herë me çekiç në kokë, humbi syrin”, gjykata liron burrin që masakroi gruan në Shkodër
Një burrë ka goditur brutalisht me çekiç në kokë bashkëshorten e tij, teksa çuditërisht ai u lirua nga burgu në një kohë që gruaja e tij ishte në sallën e operacionit në Itali, ku humbi edhe njërin sy.
Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në fshatin Barbullush në Njësinë Administrative Bushat, Vau i Dejës, ku në redaksinë e emisionit investigativ Fiks Fare u ankua Ded Çeliku, i cili punon dhe jeton në Itali.
Deda ankohet se, burri i motrës Vlash Krajni, ka goditur me çekiç motrën e tij, Leza Krajni. Pas ngjarjes, Vlashi është arrestuar dhe më pas është liruar pa dalë ekspertiza mjeko ligjore për të dëmtuarën apo edhe për gjendjen e tij mendore, teksa aktualisht po hetohet me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas denoncuesit, çifti kishte disa mosmarrëveshje, teksa ai tregon se Vlashi e ka goditur pas shpine me çekiç, në një kohë që motra e tij Leza Krajni po fliste me motrën në telefon.
Deda i dërgoi disa fotografi të motrës së tij, të shkrepura menjëherë pas ngjarjes, ku duket e masakruar dhe e gjakosur, në gjendje tepër të rëndë. Pas ngjarjes, Vlashi është arrestuar, ndërkohë që Leza ka shkuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës në gjendje kome. Goditjet e i ka pasur në kokë. “Pas disa ditësh, fëmijët e motrës e kanë marrë Lezën dhe e kanë sjellë për kurim në Itali. Dhe tani ndodhet në gjendje të rëndë, e kanë sjellë me autoambulancë nga Shkodra. Është futur disa herë në operacion për hemorragji”, thotë Deda.
Sipas tij, Leza ka humbur njërin sy, ndërkohë që thotë se gjendja e saj ende nuk është e mirë. “Unë e kam me shtetin shqiptar, me drejtësinë se si mund të lërë të lirë një person të tillë. E ka masakruar dhe tani ndodhet në shtëpi. Motra ime në spital. E kanë liruar ata të prokurorisë dhe gjykatës”, pohon ai i revoltuar.
Revolta e familjarëve të të dëmtuarës është legjitime. Fiks Fare ka mësuar se, prokuroria e ka akuzuar Vlash Krajnin për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, në tentativë. Vetëm tentativë s’ka pasur në rastin konkret. Këto vepra penale, parashikojnë një dënim jo më pak se 20 vjet burg ose me burgim të përjetshëm. Fiks Fare ka mësuar se, gjyqtarja e cila ka vendosur për caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” është Arta Llazari.
Grupi i emisionit investigativ u interesua pranë Komisariatit të Bushatit, ku shefi i Komisariatit Bushat, Armando Xhafa, thotë se hetimet janë kryer nga seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. “Personi është mbajtur në komisariat deri në përfundim kur është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër. Janë bërë veprime të gjitha me radhë, të gjitha me radhë”, thotë ai.
Por, vetëm hetimet s’kanë pasur radhë! Gjykata e liroi autorin ende pa dalë ekspertiza mjeko ligjore. Madje, gjyqtarja Arta Llazari, ka vendosur lirimin e autorit pa dalë raporti i Mjekësisë Ligjore për gjendjen e 73 vjeçarit. “Ne kemi kryer vetëm një veprim, shoqërimin e autorit, para pak ditësh, ditën e premte, e kemi çuar te Mjekësia Ligjore në Tiranë, në bazë të veprimit të prokurorit për të kryer ekspertimin psikiatrik. E kemi kthyer prapë në banesë. Aktualisht autori i dyshuar është me masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’”, pohon ai.
Më pas, bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë dhe e takojnë Vlash Krajnin, në fshatin Barbullush të Bushatit. Ai e pranon se e ka goditur, teksa thotë se ta linte me 2 goditje s’do ishte në ato kushte (arrest shtëpie). Por, e goditi disa herë, duke i shkaktuar dëmtime të mëdha.
Aktualisht është penduar, ndërkohë që pohon se shkaku mund të jetë xhelozia (një 73 vjeçar xhelozon për gruan 68 vjeçare?!). Në banesë shkon edhe një inspektor i policisë, i cili thotë se “i kanë thënë djemtë ta shohë ndonjëherë”. Aktualisht, Vlashi qëndron në banesë dhe Leza dergjet në shtratin e spitalit në Itali, ku ka humbur shikimin e njërit sy dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore nga goditjet në kokë.
Bisedë mes bashkëpunëtorëve të Fiks Fare dhe Vlash Krajnit, i cili ka masakruar me çekiç gruan e tij
Vlash Krajni – Jam me arrest shtëpie.
Fiksi – Po ça ndodhi?
Vlash Krajni – Grunë, do të shkoj te hetuesia.
Fiksi – Po si vijoi ngjarja, pse e godite?
Vlash Krajni – Mendja, truri. Ec truri ndonjëherë.
Fiksi – A kishit konflikte?
Vlash Krajni – Pak kena pas.
Fiksi – Po nga se?
Vlash Krajni – Atë s’po dimë, po ta dija s’i kisha bë këto.
Fiksi – Je pendu?
Vlash Krajni – Po pendu, po momenti.
Fiksi – Sa vite të martuar keni pas?
Vlash Krajni – 46.
Fiksi – Sa herë e godite?
Vlash Krajni – 2 herë, të 3-ën ka qenë fatale.
Vlash Krajni – Merre ai polici, na prish punë këtu. Është polic mos u tremb.
Polici – Kam ardh për Vlashin sot në mëngjes, çunat e tij më thanë.
Fiksi – Zonja nuk është këtu?
Vlash Krajni – Është në Itali.
Polici – Në Itali.
Fiksi – Ju ishit polic?
Polici – Po.
Fiksi – I zonës së Shkodrës apo Vaut të Dejës. Jo jam këtu i Komisariatit.
Fiksi – Vini e shikoni përditë?
Polici – Vijmë na lanë lënë porosi ata çunat.
Fiksi – Keni pas konflikt me zonjën?
Vlash Krajni – Shumë shpesh.
Fiksi – Po nga ça?
Vlash Krajni – Kështu mo si e kena na.
Fiksi – Po për punë shtëpie?
Vlash Krajni – Jo ça punë shtëpie, kanë qenë punë të tjera më të rëndësishme.
Fiksi – Ça kishte ndonjë gjë më të rëndësishme me arrit deri këtu? Po ta godasësh 3 herë dhe ta lësh …
Vlash Krajni – E 3-ta ka qenë fatale! Më mirë t’a kisha lënë me 2 dhe s’do kishte kurrgjë. Ka qenë veç një moment.
Fiksi – Ti kishe 1 muaj në arrest shtëpie?
Polici – Ka bo tani ato ..
Fiksi – Për gjendjen psikologjike?
Polici – Ëhë ka qenë në Tiranë.
Fiksi – Dhe si ka dalë?
Vlash Krajni – I marrë i bje gruas me çekiç, me e mbyt në çekiç.
Fiksi – Ça t’boni gruaja në këtë lloj moshe që të arrije?!
Vlash Krajni – E sqaron gjykata, ça ka bo. Është në gjykatë tani.
Fiksi – Gjykata sqaron ato që keni thënë ju, ato që keni deklaruar ju të dy.
Vlash Krajni – Kështu që vetëm ne të dy kena qenë aty, unë dhe gruja. Unë i kam rënë me çekiç.
Fiksi – Me çekiç e godite?
Vlash Krajni – Me çekiç. Po tani është mirë.
Fiksi – Është mirë sot?
Vlash Krajni – Me synin, me synin i ka pas problemet.
Fiksi – Te djali është?
Polici – Po ka ik pas 2 ditësh me ambulancë, e kanë çuar atje (në Itali). E kanë operuar, krejt.
Vlash Krajni – E kena çuar atje në Itali.
Fiksi – Synin …
Polici – E ka keq.
Fiksi – E ka heq?
Polici – Heq nuk është po, as andej e as këtej e kanë lënë njëherë për njëherë.
Fiksi – Po me zotërinë çfarë do të bëhet tani?
Polici – Të shohim tani, të shohim çfarë do vendosë gjykata. Po vendosën me e marr atje, me shku me e marrë çunat atje.
Fiksi – Për ta marrë çunat në Itali thua dhe zotërinë?
Polici – Po ça t’bëjnë tashi, te djali i vetë.
Fiksi – Ça e shtyu me shku deri aty? A u bone xheloz mo?
Vlash Krajni – Po edhe xheloz, ça t’bëjmë.
Fiksi – Po në këtë moshë të bëhesh xheloz?
Vlash Krajni – Po njeriu kur është xheloz, mos me kenë njeri, nuk kishte me qenë .. Qeni nuk është xheloz, jepi bukë!
Fiksi – Të mbajtën ca ditë brenda dhe të nxorën në arrest shtëpie?
Vlash Krajni – Nuk është ashtu (zhvilluar gjyqi) hala, se si është puna. E di shteti, e di qeveria.
Fiksi – Po ça të thanë çunat?
Vlash Krajni – Na ke mbyt nanën!