E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›EANA përjashton agjencinë ruse TASS dhe mirëpret agjencinë lituaneze ELTA

EANA përjashton agjencinë ruse TASS dhe mirëpret agjencinë lituaneze ELTA

– Asambleja e Përgjithshme e Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), e mbajtur në Larnaka të Qipros, vendosi përjashtimin e agjencisë ruse të lajmeve TASS nga organizata dhe pranimin e agjencisë lituaneze të lajmeve, ELTA si anëtare të re të Aleancës.

Me këtë vendim, ELTA bëhet anëtarja e 34-t e EANA-s, e cila bashkon agjenci lajmesh nga vende të ndryshme të Evropës, mes të cilave edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Vendimet u morën në kuadër të Konferencës së EANA-s, të zhvilluar në datat 11–13 nëntor në Larnaka, nën temën “Agjencitë e lajmeve dhe gjeopolitika – konteksti dhe trajtimi i çështjeve të ndjeshme”, organizuar nga Agjencia e Lajmeve e Qipros (CNA).

Konferenca shënoi 70-vjetorin e themelimit të EANA-s, e krijuar më 21 gusht 1956 në Strasburg.

Aleanca është një forum bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mes agjencive evropiane të lajmeve, me seli në Bernë të Zvicrës.

Lini një koment