EBA – Rusia kërkon tërheqjen e Finlandës nga NATO në bisedimet e Abu Dabit
– Rusia ka paraqitur një sërë kërkesash të gjera në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar ndër të tjera që Finlanda të largohet nga NATO dhe që Aleanca Atlantike të mos vendosë baza ushtarake në vendet baltike.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, propozimet ruse u janë përcjellë përfaqësuesve evropianë, gjatë bisedimeve jozyrtare në Abu Dabi dhe shkojnë përtej çështjes së territoreve ukrainase.
Ato synojnë krijimin e një rendi të ri të sigurisë në Evropë.
Sipas planit të raportuar, Moska kërkon të mbajë të gjitha territoret ukrainase, që aktualisht kontrollon dhe të marrë të gjithë rajonin e Donbasit, përfshirë pjesët e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut që vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Kievit.
Një tjetër kërkesë lidhet me portet ukrainase të Odesës dhe Mykolaivit, të cilat Rusia propozon të çmilitarizohen dhe të mos përdoren si baza detare.
Ndërkohë, parashikohen marrëveshje të veçanta për garantimin e lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Baltik.
Kufizime për NATO-n dhe statusin e Ukrainës
Propozimi rus parashikon gjithashtu që Ukraina të mbetet përgjithmonë jashtë çdo aleance ushtarake, duke përjashtuar anëtarësimin në NATO, por duke lënë të hapur mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Moska kërkon gjithashtu ndalimin e vendosjes së bazave ushtarake të NATO-s në tri vendet baltike: Estoni, Letoni dhe Lituani.
Për Finlandën, e cila u bë anëtare e NATO-s në vitin 2023, kërkohet rikthimi në statusin që kishte përpara anëtarësimit në Aleancë.
Autoritetet ruse vazhdojnë të argumentojnë se vendet perëndimore u kishin premtuar më herët, se NATO-ja nuk do të zgjerohej drejt lindjes.
Propozime edhe për Moldavinë dhe Bjellorusinë
Plani përfshin edhe Moldavinë, për të cilën Rusia propozon krijimin e një republike federale, të përbërë nga territori kryesor moldav, rajoni separatist i Transnistrisë dhe Gagauzia.
Sipas propozimit, nëse Moldavia anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Transnistria dhe Gagauzia do të mund të organizojnë referendume për pavarësinë.
Në këmbim të këtyre lëshimeve, pala ruse propozon tërheqjen e armëve bërthamore nga Bjellorusia dhe heqjen dorë nga vendosja e raketave me rreze të mesme veprimi në këtë vend.
Propozimet nuk janë konfirmuar zyrtarisht
Sipas raportimit të “Bild”, bëhet fjalë për propozime jozyrtare që po diskutohen në qarqe të ndryshme negociuese.
Nuk është e qartë nëse presidenti rus, Vladimir Putin e ka miratuar këtë plan të veçantë apo nëse ai është marrë në shqyrtim nga palët e tjera.
Bisedimet në Abu Dabi u zhvilluan më 10 dhe 11 nëntor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve evropiane.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte krijimi i garancive të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën pas përfundimit të luftës.
Ndërkohë, udhëheqësit evropianë kanë kundërshtuar përpjekjet për të diskutuar të ardhmen e sigurisë së kontinentit, pa pjesëmarrjen e vetë vendeve evropiane.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Evropa nuk duhet të bjerë në kurthet e Rusisë gjatë negociatave.
Raportimi për kërkesat e Moskës nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe as nuk është bërë publik si një marrëveshje zyrtare negociuese. /