Ekonomia gjermane rritet vetëm 0.1% në tremujorin e tretë, rishikim në ulje nga 0.2%
Ekonomia gjermane u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e tretë të vitit 2026 krahasuar me tremujorin e mëparshëm, njoftoi të mërkurën zyra federale e statistikave, siç njofton Reuters. Shifra është pak më e ulët se vlerësimi paraprak prej 0.2%.
Rishikimi në ulje vjen për shkak të eksporteve më të dobëta dhe qarkullimit në tregtinë me pakicë në shtator, më të ulët nga sa ishte supozuar fillimisht. “Pasi performanca ekonomike e Gjermanisë ishte e qëndrueshme në gjashtë muajt e parë të vitit përballë krizave gjeopolitike, rritja ekonomike u ngadalësua në tremujorin e tretë”, tha Ruth Brand, presidente e zyrës së statistikave.
Ekonomia më e madhe e Europës ishte rritur me 0.4% në tremujorin e parë dhe me 0.3% në tremujorin e dytë. Konsumi i përgjithshëm shënoi një rritje modeste prej 0.1%, ndërsa konsumi i familjeve, që përbën rreth 70% të konsumit total, u rrit gjithashtu me 0.1% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Konsumi qeveritar u rrit me një ritëm më të shpejtë, prej 0.3%, bëri të ditur zyra e statistikave. Në të kundërt, investimet ranë me 1.2% në tremujor, duke thelluar prirjen rënëse të vërejtur në gjysmën e parë të vitit.
Eksportet dhe importet ishin rritur ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit, por kjo ecuri ndryshoi në tremujorin e tretë, kur eksportet totale ranë me 1.0% krahasuar me tremujorin e dytë.