Elbasani ringjallet 3-0 ndaj Dinamos dhe mbetet në garë për titullin
Elbasani reagoi pas humbjes 0-4 në javën e parë të “Final Four” ndaj Egnatias dhe siguroi një fitore të rëndësishme 3-0 ndaj Dinamos në ndeshjen e dytë të javës së dytë, të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Sipas telesport, në minutën e 22-të Dinamo mbeti me një lojtar më pak pasi Bakary Goudiaby u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Isi Manellarit. Pas përjashtimit, Elbasani shënoi dy gola brenda dy minutash me Blaise Tsague: në minutën e 25-të Karim Loukili kroson dhe Tsague shënon me kokë, ndërsa në të 27-ën ai dyfishon pas një gabimi në qendër të mbrojtjes nga Jorgo Meksi. Në minutën e 38-të Ibrahima Diallo vulosi përfitimin e verdhebluve, dhe pjesa e parë përfundoi 3-0.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte më e qetë dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund, duke i dhënë Elbasanit fitoren 3-0 dhe rikthimin në garën për titullin kampion.
Ndeshjet e javës së tretë, të fundit, do të luhen më 31 maj (Vllaznia–Elbasani dhe Egnatia–Dinamo). Nëse Egnatia fiton ndaj Dinamos, ajo shpallet kampione pavarësisht rezultatit të ndeshjes së Elbasanit me Vllazninë, pasi rrogozhinasit kanë fituar përballjen direkte me verdheblutë, raporton telesport.