“Shkojmë në Korçë pa arrogancë”, Nevil Dede karikon Egnatian: Kjo periudhë na ka ndihmuar
Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, foli para duelit që skuadra e tij do të zhvillojë në transfertë ndaj Skënderbeut, ku respektoi maksimalisht kundërshtarët, teksa deklaroi se në Korçë do të shkojnë pa arrogancë.
“Kjo periudhë pauze apo pushimi, na ka ndihmuar shumë edhe për të përfituar kohë, për rikuperimin e Grudës, por mbi të gjitha për të fituar ekipi freskinë dhe të punonim në disa elementë që kemi nevojë t’i rregullojmë.
Skënderbeu realisht nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Kjo është shumë domethënëse. Skënderbeu është një ekip me traditë dhe shumë histori, sidomos në 20 vitet e fundit në futbollin shqiptar.
Në vlerësimin tim personal, por edhe të djemve dhe skuadrës, e respektojmë maksimalisht, dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet t’i japim hakun që i takon. Kjo është një nga elementët kryesorë që kemi diskutuar me djemtë gjatë javës.
Për sa i përket objektivave tonë, ne kemi besim te vetja, te grupi, kemi ndërtuar identitetin tonë dhe do të shkojmë atje pa arrogancë, me përgjegjësinë maksimale, për të dhënë më të mirën tonë dhe në fund fare të arrijmë objektivat që ne kemi. Fusha do tregojë sa të përgatitur jemi”, deklaroi Dede.