EPA shpall të hënën shfuqizimin e kufizimeve të karbonit për termocentralet
Agjencia amerikane e Mjedisit (EPA) pritet të shpallë të hënën rregullin final që shfuqizon kufizimet e emetimeve të karbonit të administratës Biden për termocentralet me qymyr dhe gaz, raportoi Reuters. Shpallja do të bëhet në margjinat e takimit të ministrave të Energjisë të G20-s në Houston, ku në qendër të diskutimeve do të jenë siguria energjetike dhe e ashtuquajtura “efiçencë rregullatore”.
Propozimi për shfuqizimin e kufizimeve u dha qershorin e kaluar nga administrata Trump. Rregullat e epokës Biden parashikonin uljen e emetimeve të karbonit me 1 miliardë ton metrikë deri në vitin 2047. Sektori i energjisë elektrike është përgjegjës për gati një të katërtën e ndotjes me gazra serë në Shtetet e Bashkuara.
Administratori i EPA-së, Lee Zeldin, deklaroi se masa u kursen kompanive energjetike 120 milionë dollarë në vit. Ai e ka paraqitur shfuqizimin si pjesë të përpjekjeve të administratës për të lehtësuar barrën rregullatore mbi industrinë energjetike dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji.
Grupet mjedisore e kanë kritikuar ashpër vendimin. Maggie Coulter nga Center for Biological Diversity e quajti nismën “utterly reckless” (krejtësisht të pamatur), duke paralajmëruar se shfuqizimi i kufizimeve do të sjellë më shumë valë të nxehti, stuhi më të fuqishme dhe zjarre më të mëdha pyjesh në vitet e ardhshme.
Burimi: Reuters