Era e fortë shkakton dëme në rrjetin elektrik në Korçë, 6 fshatra në Lekas mbeten pa energji!
Era e fortë që ka përfshirë juglindjen gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke lënë pa furnizim 6 fshatra të Njësisë Administrative Lekas në bashkinë e Korçës.
Fshatrat Tudas, Lavdar, Bozdovec, Mazrekë, Pula dhe Peshtan vijojnë të jenë pa energji elektrike, si pasojë e dëmtimeve në linjat e tensionit të ulët. Pa energji deri në mëngjesin e sotëm ka qenë edhe fshati Lekas, ku furnizimi është rikthyer.
Për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura, në terren janë angazhuar dy grupe pune të OSHEE-së. Megjithatë, terreni i thepisur malor dhe kushtet atmosferike e bëjnë të vështirë ndërhyrjen e punonjësve.
Ndërkohë, ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike janë regjistruar edhe në Voskopojë dhe fshatrat e kësaj njësie administrative, gjithashtu si pasojë e erës së fortë.
Në fshatrat e tjera të juglindjes nuk raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike.