Monday, 29 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaErmal Nufi pritet nga Dendias në Athinë, thellim i bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë

Ermal Nufi pritet nga Dendias në Athinë, thellim i bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, ku është pritur nga homologu i tij grek, ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Republikës së Greqisë, Nikos Dendias.

Gjatë takimit dy ministrat diskutuan thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes, sigurisë, sigurisë kibernetike dhe menaxhimit të emergjencave civile.

Ministri Nufi theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Greqinë, duke e cilësuar atë si një aleate dhe mike të çmuar të Shqipërisë.

Të dyja palët vlerësuan progresin e deritanishëm dhe ranë dakord për zgjerimin e bashkëpunimit praktik brenda kuadrit të NATO-s, si dhe për forcimin e koordinimit në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht gjatë sezonit veror.

“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me Aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, dhe jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin në fushën kibernetike, si në nivel dypalësh, ashtu edhe brenda kuadrit të strukturave të NATO-s.”

Nufi vlerësoi ndërveprimin e fuqishëm ndërmjet personelit ushtarak të dy vendeve përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit ushtarak, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës, ndërsa temë tjetër e bashkëbisedimit mes dy ministrave ishte edhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, koordinimit dhe ndihmës reciproke në përballimin e situatave të mundshme të emergjencave civile gjatë sezonit veror.

Përgjatë vizitës në Athinë dhe me ftesë të homologut të tij Dendias, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes së Athinës (Athens Defence Conference 2026), organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit, dhe Fondacioni Helen për Evropën dhe Politikën e Jashtme (ELIAMEP).

Lini një koment