E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaEU4Municipalities II, Demo: Përmirësimi i shërbimeve vendore, kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE

EU4Municipalities II, Demo: Përmirësimi i shërbimeve vendore, kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se programi strategjik “EU4Municipalities II” do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e administratës vendore, gjatë ceremonisë së lançimit të nismës që synon mbështetjen e bashkive shqiptare në rrugën drejt integrimit europian.

Në fjalën e tij, Demo theksoi se faza e parë e projektit ka sjellë rezultate konkrete në nivel lokal, duke marrë si shembull Bashkinë e Beratit.

“Në raundin e parë të këtij projekti Bashkia Berat ka qenë përfituese dhe përmirësimi i shërbimeve arsimore në këtë bashki u bë falë këtij projekti. Ndaj nisja e fazës së dytë të këtij programi është me shumë rëndësi, sepse Shqipëria vijon rrugën drejt BE-së dhe kjo kërkon përmirësim të shërbimeve për qytetarët dhe forcim të kapaciteteve të bashkive”, u shpreh ministri.

Sipas Ervin Demo, programi do të financohet me 11 milionë euro dhe do të fokusohet në tre drejtime kryesore: investime në infrastrukturën lokale, asistencë teknike për bashkitë në menaxhimin e fondeve dhe projekteve të Bashkimit Europian, si dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.

“Bashkitë e forta nënkuptojnë ekonomi lokale më të forta dhe përparim drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Demo.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që ka pushteti vendor në procesin e integrimit europian, duke iu referuar edhe vlerësimeve të përfaqësuesve të BE-së.

“Sipas vlerësimeve të Bashkimit Europian, rreth 70% e legjislacionit europian zbatohet në nivel vendor, çka e bën thelbësore përgatitjen dhe fuqizimin e bashkive në këtë proces”, tha ministri.

Programi strategjik “EU4Municipalities II” synon forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, përmes investimeve konkrete, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe modernizimit të shërbimeve për qytetarët.

Lini një koment