Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaEuropa rishikon përdorimin e ekraneve në shkolla, librat e printuar dhe shkrimi me dorë rikthehen në vëmendje

Europa rishikon përdorimin e ekraneve në shkolla, librat e printuar dhe shkrimi me dorë rikthehen në vëmendje

Përdorimi i tepërt i ekraneve në shkolla po nxit një rishikim të politikave arsimore në disa vende europiane, ku librat e printuar, leximi dhe shkrimi me dorë po marrin sërish një rol më të rëndësishëm në procesin mësimor.

Suedia është ndër vendet që ka bërë kthesën më të dukshme, duke orientuar politikat arsimore drejt më shumë librave fizikë dhe përdorimit më të kufizuar të ekraneve. Edhe Norvegjia ka investuar në mënyrë të konsiderueshme në tekstet e shtypura, ndërsa Danimarka ka parashikuar fonde të posaçme për blerjen e librave fizikë në shkolla.

Në Finlandë, nga gushti i vitit 2025, janë forcuar kufizimet për përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera mobile gjatë orëve të mësimit, ndërsa është vendosur më shumë theks te leximi dhe shkrimi.

Edhe Franca ka ndërmarrë masa për të kufizuar përdorimin e telefonave në shkolla dhe për të reduktuar ekspozimin e nxënësve ndaj pajisjeve digjitale. Ndërkohë, Italia po promovon leximin dhe shkrimin me dorë, duke i konsideruar ato aftësi të rëndësishme në një periudhë të përdorimit gjithnjë e më të madh të teknologjisë në klasë.

Këto zhvillime nuk nënkuptojnë një braktisje të mësimit digjital. Përkundrazi, debati në vendet europiane po përqendrohet gjithnjë e më shumë te gjetja e një ekuilibri mes teknologjisë dhe metodave tradicionale të të nxënit.

Ekspertët dhe politikëbërësit po shqyrtojnë ndikimin e kohës së gjatë para ekranit në përqendrimin, leximin dhe përfshirjen e nxënësve, duke nxitur një rikthim të pjesshëm te mjete të tilla si libri fizik, fletorja dhe stilolapsi.

Kështu, në një arsim që gjatë viteve të fundit është dixhitalizuar me ritme të shpejta, Europa duket se po kërkon një qasje më të balancuar: teknologjia të mbetet pjesë e klasës, por pa zëvendësuar plotësisht mënyrat tradicionale të leximit dhe shkrimit.

Lini një koment