Sunday, 23 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaFesta e Koranit, tradita që rikthehet çdo verë në Pogradec

Festa e Koranit, tradita që rikthehet çdo verë në Pogradec

Festa e Koranit rikthen në Pogradec traditën, gatimet dhe shijen e “mbretit të liqenit”, në një periudhë kur nis pasurimi i Ohrit me rasatë e rinj. Vetëm këtë vit pritet të hidhen rreth 2 milionë rasatë korani, ndërsa festa ka sjellë edhe muzikë e aktivitete për pushuesit.

Muajt gusht dhe shtator përkojnë me periudhën e pasurimit të Liqenit të Ohrit me rasatin e koranit. Për këtë arsye, kjo periudhë në Pogradec shoqërohet edhe me Festën e Koranit, një aktivitet që ndërthur traditën, kulinarinë dhe promovimin e një prej produkteve më të njohura të liqenit.

Edhe këtë vit, festa ka bërë bashkë kuzhinierë të zonës, të cilët kanë prezantuar për vizitorët gatime të ndryshme me koran, të përgatitura sipas recetave tradicionale të Pogradecit.

Sipas kuzhinierëve, “mbreti i liqenit” vijon të jetë një nga shijet më të kërkuara nga pushuesit dhe turistët që zgjedhin Pogradecin.

Për MasterChef-in shqiptar Arian Ceka, kulinaria pogradecare ka ardhur duke u përmirësuar në vitet e fundit.

Vetëm këtë vit, në Liqenin e Ohrit po hidhen rreth 2 milionë rasatë të rinj korani, në kuadër të procesit të ripopullimit të liqenit. Zëvendësministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari, thotë se ky proces do të vijojë me synim rritjen e rezervave të koranit në liqen.

Festa e Koranit nuk është kufizuar vetëm te kulinaria. Mijëra pushues që kanë zgjedhur Pogradecin gjatë muajit gusht patën mundësi të shijojnë edhe një mbrëmje muzikore, me disa prej emrave më të njohur të muzikës së Kosovës.

Lini një koment