“Financial Times”: Luftë ndaj spiunazhit dhe hakerave, Gjermania zgjeron kompetencat e shërbimeve sekrete
– Gjermania ka miratuar një reformë të rëndësishme të shërbimeve të inteligjencës, duke u dhënë atyre kompetenca të reja, për të luftuar spiunazhin, sulmet kibernetike, sabotazhin dhe ndërhyrjet e huaja, sipas “Financial Times”.
Reforma u miratua sot nga Bundestagu, parlamenti gjerman, me 309 vota pro, 190 kundër dhe 71 abstenime.
Ajo zgjeron ndjeshëm kompetencat e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), që vepron jashtë vendit, dhe të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), përgjegjëse për sigurinë e brendshme.
Sipas ndryshimeve të miratuara, shërbimet sekrete do të kenë mundësi, jo vetëm të mbledhin dhe analizojnë informacione për kërcënimet, por edhe të ndërhyjnë në raste të caktuara për t’i neutralizuar ato.
Një nga kompetencat e reja më të rëndësishme, i jep BND-së mundësinë të ndërhyjë në sistemet informatike të aktorëve të huaj, të çaktivizojë serverë të përdorur nga grupet shtetërore të hakerave dhe të pengojë veprimtarinë e rrjeteve, që kryejnë sulme kibernetike ose fushata dezinformimi.
Shërbimi do të mund të ndërhyjë gjithashtu, në sisteme informatike të laboratorëve të armëve kimike apo fabrikave të dronëve, në rastet kur ato përbëjnë kërcënim për sigurinë e Gjermanisë.
Reforma parashikon edhe zgjerimin e mundësive për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave të komunikimeve.
BND-së do t’i lejohet të ruajë për një periudhë deri në gjashtë muaj, përmbajtjen e komunikimeve dhe deri në 12 muaj të dhënat shoqëruese, si adresat IP, koha dhe kohëzgjatja e komunikimeve.
Gjithashtu, shërbimet do të mund të përdorin më gjerësisht inteligjencën artificiale, për analizimin e të dhënave dhe mjete të krahasimit biometrik të imazheve, me qëllim identifikimin e personave dhe zbulimin e kërcënimeve.
Ndryshimet përfshijnë edhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila do të ketë mundësi të ndërmarrë masa të caktuara parandaluese, në raste kërcënimesh të veçanta. Ndërhyrjet do të kufizohen në kushtet dhe rastet e përcaktuara nga ligji.
Qeveria gjermane e ka argumentuar reformën me rritjen e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, duke përmendur spiunazhin, sabotazhin, sulmet kibernetike dhe operacionet e fshehta të fuqive të huaja.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt deklaroi se këto kërcënime kërkojnë mjete të reja veprimi dhe se shërbimet e inteligjencës, duhet të jenë në gjendje jo vetëm të identifikojnë rreziqet, por edhe të ndërhyjnë për t’i parandaluar ato.
Megjithatë, zgjerimi i kompetencave ka shkaktuar debate në Bundestag. Përfaqësues të opozitës dhe organizatave, që mbrojnë të drejtat civile, kanë ngritur shqetësime për rrezikun e mbikëqyrjes së tepruar, cenimin e privatësisë dhe dobësimin e ndarjes tradicionale mes shërbimeve sekrete dhe policisë.
Kritikat lidhen veçanërisht me mundësinë e zgjerimit të mbikëqyrjes së komunikimeve private dhe ndërhyrjeve në pajisjet elektronike.
Për të kufizuar rrezikun e abuzimit, reforma parashikon forcimin e kontrollit mbi veprimtarinë e shërbimeve sekrete. Një rol më të madh do të ketë Këshilli i Pavarur i Kontrollit, i cili do të mbikëqyrë ligjshmërinë e masave të ndërmarra, ndërsa do të forcohet edhe kontrolli parlamentar.
Gjermania ka qenë tradicionalisht, e kujdesshme në zgjerimin e kompetencave të shërbimeve sekrete, për shkak të përvojës historike me policinë sekrete të regjimit nazist dhe të Gjermanisë Lindore.
Reforma e re shënon një ndryshim të rëndësishëm, në mënyrën se si vendi synon të përballet me kërcënimet moderne të sigurisë. /