Flakët vijojnë të përpijnë pyjet në dy fshatrat e Pukës, era favorizon zjarrin, ka ende rrezik për banorët!
Vatra më e rrezikshme e zjarrit në vend aktualisht mbetet ajo në malësinë e Pukës, ku rrezikohen edhe shtëpitë, kurse banorët janë evakuar.
Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive në Njësinë Administrative Gjegjan, ku flakët kanë përfshirë dy fshatrat, Gojan i Madh dhe Gojan i Vogël.
Situata paraqitet ende më problematike në fshatin Gojan i Vogël, ku flakët janë afruar pranë zonës së banuar.
Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, duke e vështirësuar situatën dhe ndërhyrjen për izolimin e flakëve.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.
Aksioni vijon prej dy ditësh nga toka dhe nga ajri, me forca të Ushtrisë, Policisë, Pyjores, Emergjencave dhe Zjarrfikëses, përfshi edhe vullnetarë dhe mjete fluturuese.