Fluks i lartë në Portin e Vlorës, 1,388 pasagjerë mbërrijnë nga Italia brenda ditës
Fluksi i udhëtarëve në hyrje përmes Portit të Vlorës vijon të jetë i lartë, teksa lëvizjet nga Italia drejt Shqipërisë janë shtuar gjatë sezonit turistik.
Vetëm gjatë ditës së sotme, në Portin e Vlorës kanë mbërritur 1,388 pasagjerë përmes dy trageteve të linjës Brindisi–Vlorë, “Ionian Star” dhe “European Star”.
Sipas të dhënave të raporteve të mbërritjes, në port kanë hyrë gjithashtu 291 automjete, 10 kampera dhe 31 motoçikleta.
Trageti “Ionian Star” ka sjellë në Vlorë 817 pasagjerë, ndërsa “European Star” 571 pasagjerë, duke konfirmuar fluksin e lartë të hyrjeve gjatë muajit gusht.
Ndërkohë, në dalje nga Porti i Vlorës janë regjistruar rreth 700 pasagjerë, çka tregon për një lëvizje të konsiderueshme në të dyja drejtimet.
Fluksi i lartë në port pritet të vijojë përgjatë ditëve të gushtit, në një nga periudhat me ngarkesën më të madhe të lëvizjeve të udhëtarëve drejt dhe nga Shqipëria.