E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Evropa dhe SHBA bien dakord të rishikojnë marrëveshjet e sigurisë për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve

FOKUS – Evropa dhe SHBA bien dakord të rishikojnë marrëveshjet e sigurisë për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve

– Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe partnerët evropianë kanë rënë dakord të shqyrtojnë marrëveshjet dhe mekanizmat ekzistues të sigurisë në Evropë, me synimin për të ulur rrezikun e konflikteve dhe për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, njoftoi Komisioni Evropian në faqen zyrtare.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Abu Dabi, ku përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe NATO-s, diskutuan koordinimin e përpjekjeve diplomatike, për t’i dhënë fund luftës dhe krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme.

Në një deklaratë të përbashkët, pjesëmarrësit theksuan se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtën e Ukrainës për të marrë vendime të pavarura, si dhe të përfshijë garanci të besueshme për sigurinë e saj.

Objektivi i përbashkët është krijimi i një kuadri praktik dhe plotësues të sigurisë, që do të forcojë mbrojtjen afatgjatë të Ukrainës dhe do të krijojë besimin e nevojshëm për arritjen e një marrëveshjeje përmes negociatave.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu te mënyra se si mund të shfrytëzohen institucionet dhe marrëveshjet ekzistuese të sigurisë në Evropë, pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Përfaqësuesit ranë dakord se trajtimi i shqetësimeve të sigurisë pas luftës dhe ulja e rrezikut të konflikteve të reja, janë thelbësore për stabilitetin e rajonit.

Në këtë kuadër, ata diskutuan krijimin e mekanizmave të fortë për menaxhimin e rreziqeve dhe shmangien e përshkallëzimeve të rrezikshme.

Deklarata rikonfirmon gjithashtu angazhimin e përbashkët për një arkitekturë të fortë të sigurisë evropiane pas luftës, duke nënvizuar se NATO-ja do të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive euroatlantike.

Takimi në Abu Dabi u zhvillua përpara bisedimeve tripalëshe mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës dhe Rusisë, të cilat synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për përfundimin e konfliktit.

Përfaqësuesit amerikanë, ukrainas dhe evropianë ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë gjatë gjithë procesit të negociatave, me synimin për të kaluar drejt diskutimeve më të gjera shumëpalëshe, ku të përfshihen edhe partnerët evropianë.

Qëllimi përfundimtar është arritja e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, e mbështetur në garanci të besueshme sigurie dhe në respektimin e sovranitetit të Ukrainës. /

Lini një koment