Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaFOKUS – Italia në krizë demografike: Lindjet arrijnë nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore

FOKUS – Italia në krizë demografike: Lindjet arrijnë nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore

ROMË, 28 korrik /ATSH-DPA/- Italia ka regjistruar, vitin e kaluar, numrin më të ulët të lindjeve që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Instituti Kombëtar i Statistikave në Romë bëri të ditur sot se, numri i lindjeve ka rënë sërish, duke arritur në vetëm 355 mijë lindje, ose 3,9% më pak krahasuar me vitin e mëparshëm.

Aktualisht, në Itali një grua ka mesatarisht 1,14 fëmijë gjatë jetës së saj.

Për krahasim, gjatë periudhës së rritjes së madhe të lindjeve pas luftës, në vitin 1964, në Itali u regjistruan 1 035 207 lindje, ndërsa gratë kishin mesatarisht 2,7 fëmijë.

Niveli i ulët i lindjeve, është prej kohësh një nga problemet më të mëdha të Italisë.

Në Evropë, vetëm disa vende, si Spanja dhe Malta, kanë norma edhe më të ulëta të lindjeve.

Në Gjermani, sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2025 norma mesatare ishte 1,32 fëmijë për grua.

Pothuajse një në dy gra mendon se shtatzënia do të dëmtojë karrierën e tyre

Një studim tregoi se pothuajse dy të tretat e të anketuarve (63%) përmendën pengesat ekonomike, profesionale ose sociale, si arsyen kryesore pse nuk kanë më shumë fëmijë.

Ndërkohë, gati një në dy gra (49%) tha se ka frikë nga pasoja negative në karrierë nëse do të mbetej shtatzënë.

Italia po përballet gjithashtu, me një plakje të shpejtë të popullsisë, ku në vend jetojnë rreth 24 mijë persona mbi 100 vjeç.

Popullsia totale e Italisë, më 1 janar, mbeti pothuajse e pandryshuar, në rreth 58,94 milionë banorë, krahasuar me vitin e kaluar.

Arsyeja kryesore që numri i banorëve nuk ka rënë më shumë është ardhja e emigrantëve, të cilët kanë kompensuar rënien natyrore të popullsisë. /

 

Lini një koment