FOKUS – Kanadaja me tarifa shtesë 15%-50% ndaj produkteve amerikane
OTAVË, 25 gusht /ATSH-AFP/ – Kanadaja njoftoi sot se më 8 shtator do të hyjnë në fuqi tarifa shtesë doganore prej 15% deri në 50% për një sërë produktesh amerikane, ndërsa do të zhbllokojë 4,6 miliardë euro për të mbështetur sektorët e goditur rëndë nga lufta tregtare që po përshkallëzohet mes dy vendeve fqinje, dikur aleatë të afërt.
Këto tarifa shtesë, linjat kryesore të të cilave ishin njoftuar të shtunën nga kryeministri kanadez, Mark Carney, do të prekin çelikun, produktet e qumështit, si edhe pajisjet bujqësore, industrinë e letrës, elektronikën dhe pajisjet elektro-shtëpiake.
Vlera e tyre do të jetë, deri në dollarin e fundit, e barabartë me tarifat shtesë amerikane që kanë prekur Kanadanë që prej të shtunës.
“Kanadaja është e bashkuar në përgjigjen e saj ndaj kësaj sfide të paprecedentë”, deklaroi ministri i Financave, François-Philippe Champagne, teksa prezantoi kundërpërgjigjen, e cila do të hyjë në fuqi më 8 shtator, në orën 00:01.
Mark Carney vendosi të premten të përballet me Donald Trump duke ndërprerë negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara, për shkak të kushteve të padrejta, sipas tij, të vendosura nga Uashingtoni.
Një vendim që mund të rezultojë i rrezikshëm ekonomikisht.
Shtetet e Bashkuara janë, me një diferencë të madhe, partneri kryesor tregtar i Kanadasë, ndërsa eksportet kanadeze drejt këtij vendi përbëjnë 70% të totalit.
Për të përballuar “këto kohë të vështira”, qeveria kanadeze njoftoi të martën edhe masa mbështetëse për sektorët e prekur rëndë nga tarifat amerikane, gjatë një konference për shtyp ku morën pjesë disa ministra.
Uashingtoni zbaton që prej të shtunës, në orën 00:01, tarifa ndëshkuese shtesë që prekin produkte kanadeze të importuara me një vlerë totale prej 20 miliardë dollarësh, mes të cilave çimentoja, pijet alkoolike dhe shkopinjtë e hokejit./ a.jor.