FOKUS – Kremlini: Më 10-11 nëntor mblidhemi në Abu Dhabi për bisedime trepalëshe mbi Ukrainën
MOSKË, 3 nëntor /ATSH-AA/ – Kremlini konfirmoi sot se një delegacion rus do të vizitojë Abu Dhabin javën e ardhshme për negociata trepalëshe me Ukrainën dhe SHBA-në.
Negociatat trepalëshe të rinovuara të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që synojnë arritjen e paqes në Ukrainë do të zhvillohen në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe më 10-11 nëntor, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë një konference për mediat.
“Delegacioni rus do të arrijë në Abu Dhabi më 10-11 nëntor dhe do të marrë pjesë në negociatat trepalëshe”, tha Peskov duke vënë në dukje se ndihmësi i presidentit rus Vladimir Medinsky do të drejtojë delegacionin e Moskës në bisedime.
Deklarata erdhi pasi i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff tha të hënën se Washingtoni do të ndërmjetësojë negociatat në nivel pune midis Ukrainës dhe Rusisë më 10-11 nëntor në Abu Dhabi.
Bisedimet do të synojnë të avancojnë “misionin e presidentit (SHBA) (Donald) Trump për t’i dhënë fund luftës. Diskutimet do të fokusohen në marrëveshjet e sigurisë së pasluftës, de-përshkallëzimin, përpjekjet humanitare dhe hapat e ardhshëm drejt paqes”, tha Witkoff përmes kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për herë të fundit në fillim të këtij viti, me tre raunde bisedimesh në 23-24 janar, 4-5 shkurt dhe 17-18 shkurt. Dy të parat u mbajtën në Abu Dhabi ndërsa i treti në Gjenevë.