E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – OBSH-ja paralajmëron për rikthimin e fruthit, shqetësim niveli i ulët i vaksinimit në Evropë

FOKUS – OBSH-ja paralajmëron për rikthimin e fruthit, shqetësim niveli i ulët i vaksinimit në Evropë

GJENEVË, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot se fruthi mund të rikthehet në shumë vende të botës, pavarësisht rënies së ndjeshme të numrit të vdekjeve nga kjo sëmundje që prej vitit 2000.

Në raportin e saj vjetor për fruthin, OBSH-ja vuri në dukje se rreziku është shtuar në Amerikë, për shkak të rënies së imunitetit të popullsisë, ndërsa në disa vende evropiane, shqetësim mbetet numri i ulët i personave të vaksinuar.

Sipas të dhënave të organizatës, vitin e kaluar u regjistruan 59 shpërthime të mëdha të fruthit në mbarë botën.

Rreth 9,8 milionë persona u infektuan, 74% më pak krahasuar me vitin 2000, ndërsa 72 mijë humbën jetën, një rënie prej 91% në të njëjtën periudhë.

OBSH-ja shprehu shqetësim të veçantë për faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Bolivia kanë humbur së fundmi, statusin e vendeve ku fruthi konsiderohej i eliminuar.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se asnjë vend nuk duhet ta konsiderojë luftën kundër fruthit të përfunduar.

“Fruthi nuk fal neglizhencën. Vendet që e kishin eliminuar sëmundjen po e humbasin sërish këtë status. Eliminimi i saj nuk është një objektiv përfundimtar, që arrihet një herë e përgjithmonë. Ai duhet të ruhet përmes vaksinimit të çdo fëmije me dy doza vaksine, kudo në botë”, deklaroi ai.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çështja e vaksinimit është bërë objekt debati, pasi sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka shprehur vazhdimisht dyshime për vaksinat.

Shqetësim paraqet edhe niveli i ulët i vaksinimit në disa vende evropiane.

Sipas të dhënave të OBSH-së, në Malin e Zi vetëm 13% e fëmijëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, një shifër shumë më e ulët se mesatarja botërore prej 84%.

Edhe Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Rumania kanë nivele vaksinimi dukshëm, nën mesataren globale.

Shoqatat mjekësore në Evropën Juglindore paralajmërojnë se një pjesë e prindërve, po refuzojnë vaksinimin e fëmijëve, për shkak të mungesës së besimit te vaksinat dhe informacioneve të pasakta që qarkullojnë në publik.

Sipas tyre, rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e teorive konspirative dhe pretendimeve të pavërtetuara rreth vaksinimit, duke ndikuar në vendimet e prindërve. /

Lini një koment