FOKUS – Oqeanet arritën një temperaturë rekord mesatare ditore
PARIS, 24 gusht /ATSH-DPA/ – Temperatura mesatare sipërfaqësore e oqeaneve të botës arriti në 21,1°C pardje, një rekord historik për një ditë të vetme, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të fenomenit El Niño, njoftoi të hënën Observatori Evropian ”Copernic”.
Ky rekord temperature tejkalon atë të vendosur në mars 2024, në 21,09°C, ndërsa ngjarja klimatike El Nino e këtij viti mund të jetë më e forta e regjistruar ndonjëherë, sipas shkencëtarëve.
Ky fenomen natyror i klimës, i cili ndodh çdo dy deri në shtatë vjet, shton një trend më të gjerë të ngrohjes së oqeaneve të shkaktuar nga akumulimi i gazrave serrë në atmosferë.
Ky rekord ditor i regjistruar në gusht është i pazakontë, vuri në dukje Koperniku në një njoftim për shtyp, sepse temperaturat globale të oqeaneve “zakonisht arrijnë nivelet e tyre më të larta në mars dhe prill”, në fund të verës në Hemisferën Jugore, ku ndodhen trupat më të mëdhenj të ujit të oqeanit.
Oqeanet luajnë një rol vendimtar në rregullimin e klimës duke thithur 90% të nxehtësisë së tepërt të gjeneruar nga aktivitetet njerëzore, duke përfshirë djegien e naftës, gazit dhe qymyrit.
“Ky rekord është një tjetër shenjë e qartë e një oqeani nën presion në rritje”, tha Samantha Burgess, një zyrtare e Copernicus, në njoftimin për shtyp.
“Ndërsa temperaturat e oqeaneve vazhdojnë të rriten, rriten edhe rreziqet për ekosistemet detare dhe komunitetet bregdetare”, theksoi ajo.
Rritja e temperaturave të oqeaneve gjithashtu rrit rrezikun e ngjarjeve ekstreme të motit, vuri në dukje Copernicus. Një oqean më i ngrohtë sjell më shumë nxehtësi dhe lagështi në atmosferë, të cilat mund të intensifikojnë reshjet dhe stuhitë./ a.jor.