FOKUS – Qipro do të furnizojë Evropën me gaz natyror si alternativë ndaj atij rus
NIKOZIA, 28 korrik /ATSH-DPA/- Qipro po hedh një hap të rëndësishëm për t’u bërë një furnizues i ri i gazit natyror për Evropën.
Kompanitë energjetike “TotalEnergies” (Francë) dhe “Eni “(Itali) njoftuan se do të zhvillojnë fushën e gazit “Kronos”, e cila ndodhet në det të hapur pranë brigjeve të ishullit mesdhetar.
Sipas planit, prodhimi i gazit pritet të nisë në vitin 2028.
Projekti parashikon një prodhim prej rreth 2,8 milionë tonë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në vit, ndërsa secila kompani do të tregtojë gjysmën e kësaj sasie.
“Kronos” konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme të gazit në Mesdheun Lindor.
Rezervat e rikuperueshme vlerësohen në rreth 85 miliardë metra kub, një sasi që mund të kontribuojë ndjeshëm në furnizimin me energji të tregjeve evropiane.
Gazi do të transportohet përmes një tubacioni drejt impianteve ekzistuese të kompanisë “Eni” në Egjipt, ku do të përpunohet dhe do të shndërrohet në LNG. Më pas, ai do të eksportohet drejt Evropës nga terminali i gazit të lëngshëm në qytetin egjiptian Damietta.
Ky zhvillim shihet si një kontribut i rëndësishëm në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të diversifikuar burimet e furnizimit me energji.
Nevoja për alternativa ndaj gazit rus është rritur pas pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme kanë shtuar rëndësinë e sigurimit të burimeve të reja dhe të besueshme të energjisë./ /Ad.Ab./ a.jor.