E martë, 17 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Rusia godet dy ura strategjike në Kiev, ndërpritet qarkullimi

FOKUS – Rusia godet dy ura strategjike në Kiev, ndërpritet qarkullimi

– Rusia ka goditur me raketa balistike, dy ura të rëndësishme në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën e transportit dhe ndërprerje të disa shërbimeve publike, sipas “Reuters”.

Sulmi ndodhi gjatë natës, ndërsa objektiv i goditjeve ishin Ura Veriore dhe Ura Jugore, të cilat kalojnë mbi lumin Dnipro dhe lidhin dy brigjet e kryeqytetit ukrainas.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, konfirmoi sulmin përmes një mesazhi në Telegram, duke bërë të ditur se të dyja urat kishin pësuar dëmtime. Për pasojë, qarkullimi i automjeteve në to, u pezullua në të dy drejtimet.

Autoritetet vendase njoftuan gjithashtu për dëmtime në infrastrukturën e metrosë, ndërsa në disa zona të kryeqytetit pati ndërprerje të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe ngrohje.

Në linjën e gjelbër të metrosë, shërbimi u pezullua përkohësisht, në segmentin mes stacioneve Osokorky dhe Chervonyi Khutir, ndërsa trenat vijuan të qarkullonin në pjesën nëntokësore të linjës.

Ekipet e specializuara, kanë nisur vlerësimin teknik të dëmeve në të dyja urat, për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kushtet e nevojshme për rikthimin e qarkullimit. Deri në përfundimin e inspektimeve, nuk është përcaktuar se kur do të rihapen ato.

Sulmet ruse u shtrinë edhe në rajone të tjera të Ukrainës. Në rajonin e Çerkasit u raportuan tre persona të plagosur, ndërsa shpërthime dhe goditje u regjistruan edhe në Harkiv, Dnipropetrovsk dhe Zaporizhia.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se goditjet kishin në shënjestër objekte të transportit, infrastrukturës ushtarake dhe energjetike, si dhe infrastrukturën portuale dhe anijet e mallrave.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone të vendit.

Goditjet e fundit, vijnë në një moment kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave strategjikë, përfshirë urat, objektet energjetike dhe infrastrukturën e transportit.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar për mundësinë e sulmeve të reja ruse, duke iu kërkuar qytetarëve të tregoheshin të kujdesshëm ndaj alarmeve për sulme ajrore. /

Lini një koment