FOKUS – SHBA: Marrëveshja për Groenlandën mundëson ndërtimin e bazave dhe kufizon ndikimin kinez
NJU JORK, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka përshkruar marrëveshjen e njoftuar së fundmi me Danimarkën për të ardhmen e Groenlandës si një masë mbrojtëse ndaj ndikimit në rritje të Kinës në ishullin strategjik të Arktikut.
Duke folur për “Fox News” sot, Rubio e cilësoi marrëveshjen si një “marrëveshje fantastike”, e cila “nuk ka afat skadimi”.
“Ajo na lejon të ndërtojmë aq baza ushtarake sa të jenë të nevojshme”, deklaroi ai.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Danimarka të shqyrtojnë së bashku investimet e ardhshme të huaja.
Sipas Rubios, synimi është të parandalohet një situatë ku, edhe pse ushtria kineze nuk ndodhet në ishull, kompanitë kineze të kenë në pronësi portet dhe tokat.
Presidenti kinez Xi Jinping pritet të mbërrijë nesër Uashington për një vizitë disa ditore me presidentin amerikan Donald Trump.
Marrëveshja për Groenlandën mund të ndikojë në atmosferën e takimit mes dy liderëve.
Marrëveshja mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës mund të nënshkruhet zyrtarisht që sot në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Megjithatë, teksti dhe detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende publike.
Televizioni danez raportoi se Uashingtoni mund të planifikojë ndërtimin e dy bazave të reja ushtarake në Groenlandë.
Aktualisht, SHBA-ja operon vetëm bazën hapësinore “Pituffik”, në veriperëndim të ishullit, e cila luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër raketave dhe mbikëqyrjen me radar.
Një marrëveshje mbrojtjeje e vitit 1951 me Danimarkën i kishte dhënë tashmë Uashingtonit hapësirë të konsiderueshme veprimi ushtarak në Groenlandë.
Rubio tha se marrëveshja e re e kishte “modernizuar” marrëveshjen ekzistuese.
Presidenti Trump kishte pretenduar të drejtën për të marrë Groenlandën, një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, duke iu referuar interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Kërcënimet e tij të mëparshme për aneksimin e Groenlandës shkaktuan reagime të ashpra në vendet evropiane dhe te aleatët e NATO-s, duke rënduar ndjeshëm marrëdhëniet transatlantike. /Ad.Ab./ a.jor.