E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Spanja paralizohet nga greva e përgjithshme, protestuesit kërkojnë të drejtën për strehim dhe paga dinjitoze

FOKUS – Spanja paralizohet nga greva e përgjithshme, protestuesit kërkojnë të drejtën për strehim dhe paga dinjitoze

MADRID, 11nëntor /ATSH/ – Spanja është përfshirë nga një grevë e përgjithshme, e organizuar nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, Comisiones Obreras (CCOO) dhe UGT, me kërkesën për garantimin e së drejtës për strehim dhe paga dinjitoze, shkruan europatoday.com.

Greva, e para e këtij lloji e organizuar bashkërisht nga dy sindikatat në 14 vitet e fundit, nisi gjatë natës së së mërkurës, më 11 nëntor, me përplasje mes protestuesve dhe policisë në disa qytete të vendit.

Në tregun me shumicë Mercamadrid në Madrid, policia ndërhyri ndaj protestuesve, duke përdorur edhe sprej me spec djegës. Sindikata CCOO raportoi 13 persona të plagosur dhe njoftoi se do të ndërmarrë veprime ligjore. Një person u arrestua, ndërsa në shkallë vendi numri i të arrestuarve arriti të paktën në 23.

Bllokohen rrugët në Madrid dhe Katalonjë

Protestuesit bllokuan disa akse kryesore rrugore. Në Madrid, demonstruesit ndërprenë qarkullimin në unazën M-30, pranë zonës së Legazpi, ndërsa në Katalonjë u bllokuan më shumë se 30 rrugë, përfshirë autostradat AP-7, A-2 dhe B-10.

Barrikada dhe goma të djegura u raportuan edhe në tregjet me shumicë të Seviljes dhe Barcelonës, përkatësisht Mercasevilla dhe Mercabarna. Incidente të tjera u regjistruan në portet e Valencias dhe Algeciras.

Nisma për mobilizimin u nxit nga rasti i dëbimit të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, i cili shkaktoi protesta në mbrojtje të së drejtës për strehim dhe u kthye në një pikë përplasjeje mes qeverisë dhe opozitës.

Zëdhënësja e Sindikatës së Qiramarrësve, Alicia del Río, e cilësoi grevën një sukses, duke theksuar se protesta drejtohet kundër qeverive, punëdhënësve dhe pronarëve të pasurive të paluajtshme, të cilët i konsideron përgjegjës për krizën e strehimit.

Pjesëmarrja në grevë

Nën presionin e protestave, qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez kishte miratuar dy dekrete emergjente për të forcuar mbrojtjen nga dëbimet dhe për të zgjatur kontratat e qirasë.

Megjithatë, Kongresi i rrëzoi ato më 2 tetor, me votat kundër të Partisë Popullore (PP), Vox dhe Junts, ndër të tjera.

Tre ditë më vonë, Sánchez njoftoi zgjedhjet e parakohshme për 29 nëntor. Greva zhvillohet vetëm dy ditë përpara hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore.

Sindikatat e kanë cilësuar mobilizimin të suksesshëm, megjithëse pjesëmarrja ka qenë e ndryshme sipas rajoneve.

Sipas të dhënave paraprake, ajo arriti në 41% në Kastilje-La Mança dhe Ekstremadurë, ndërsa kaloi 80% në Katalonjë dhe Andaluzí.

Pjesëmarrja më e lartë u regjistrua në sektorët e energjisë, industrisë përpunuese, automobilave, petrokimisë dhe përpunimit të mishit, si dhe në logjistikë, transport dhe shërbimet e mbledhjes së mbetjeve.

Në tregtinë me pakicë, grevës iu bashkuan 60,8% e punonjësve, ndërsa në sektorin e hotelerisë, turizmit dhe lojërave të fatit pjesëmarrja arriti në 61,9%.

Në shërbimet teknike u regjistrua një pjesëmarrje prej 50,9%, ndërsa në sektorin financiar 25,4%.

Lini një koment