E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FRANCË – Bllokohet mësimi në disa shkolla, ndërsa mijëra persona pritet t’u bashkohen protestave

FRANCË – Bllokohet mësimi në disa shkolla, ndërsa mijëra persona pritet t’u bashkohen protestave

Disa shkolla të mesme dhe universitete u bllokuan sot herët në të gjithë Francën ndërsa mijëra persona pritet të dalin në rrugë pas thirrjes së organizatave studentore, raportoi transmetuesi BFMTV, transmeton Anadolu.

Bllokadat vijuan në disa shkolla të mesme dhe universitete në Paris, si dhe në Marseille dhe Toulouse, ku të hënën u ndërpre procesi mësimor në 12 nga 13 shkollat e mesme të qytetit. Disa organizata studentore në Lille bënë thirrje për vazhdimin e mobilizimit, përfshirë përmes një demonstrate të planifikuar për pasdite.

Protesta e quajtur “E marta e zezë”, e organizuar nga shoqatat e nxënësve të shkollave të mesme, pritet të zhvillohet edhe në Lion, ku autoritetet kanë miratuar një demonstratë studentore. Prefektura e Policisë së Parisit vlerësoi se nga 15 mijë deri në 30 mijë demonstrues do të dalin në rrugë pas thirrjes së organizatave studentore.

Të hënën, prefektura e policisë ndaloi marshimin e planifikuar nga Pantheoni deri në zonën pranë selisë së Medef-it, duke argumentuar se itinerari ishte “i papajtueshëm me kufizimet e sigurisë në fuqi aktualisht”. Më vonë u propozua një itinerar alternativ midis Porte de Charenton dhe Porte de Montreuil, por vendimi u kundërshtua në gjykatën administrative.

Lini një koment