Monday, 27 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaFRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë

FRANCË – Zjarret paralizojnë turizmin në rajonin e Bordosë

BORDO, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Zjarret e mëdha pyjore që kanë përfshirë rajonin e Bordosë në Francë po godasin rëndë edhe sektorin e turizmit, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale.

Autoritetet franceze u kanë bërë thirrje pushuesve të mos udhëtojnë drejt departamentit të Zhirondes, pasi flakët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit dhe mund të përkeqësojnë situatën.

Qeveria thekson se kufizimi i lëvizjes është i nevojshëm për t’u dhënë përparësi shërbimeve të emergjencës.

Sipas Patrick Seguin, president i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Zhirondes, sezoni turistik është ndalur pothuajse plotësisht.

Ai paralajmëroi se kjo përbën një goditje të rëndë ekonomike për rajonin, ku mijëra biznese dhe punonjës varen nga vizitorët gjatë muajve të verës.

Prefektja e Bordosë, Sophie Brocas, u bëri thirrje turistëve që planifikonin të niseshin për pushime në këtë zonë të shtynin udhëtimin derisa situata të vihej nën kontroll.

Ajo u kërkoi edhe vizitorëve që ndodhen tashmë në rajon të marrin në konsideratë destinacione të tjera, pasi ekziston rreziku që evakuimet të zgjerohen nëse zjarret përhapen më tej.

Deri tani, rreth 220 mijë persona, përfshirë shumë turistë, janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu organizimin e kampeve verore për të rinjtë dhe aktiviteteve të pushimit për personat me aftësi të kufizuara, për të garantuar sigurinë e tyre.

Megjithatë, përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë dhe restoranteve theksojnë se jo i gjithë rajoni është i prekur nga flakët.

Ata sqarojnë se thirrjet për të shmangur udhëtimet synojnë kryesisht të mbajnë të lira rrugët në zonat e prekura, në mënyrë që automjetet e emergjencës dhe ekipet e zjarrfikësve të mund të veprojnë sa më shpejt dhe pa pengesa.

Turizmi përbën rreth 7% të ekonomisë së rajonit të Zhirondes, duke mbështetur mbi 40 mijë vende pune dhe duke gjeneruar të ardhura vjetore prej rreth 3,2 miliardë eurosh.

Nëse zjarret vazhdojnë, humbjet ekonomike pritet të jenë të konsiderueshme, duke prekur jo vetëm industrinë e turizmit, por edhe bizneset lokale që varen nga sezoni veror./  /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment