E hënë, 16 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Fruthi vazhdon të përhapet në Kosovë: 336 raste që nga prilli, 37 vetëm në javën e fundit

Fruthi vazhdon të përhapet në Kosovë: 336 raste që nga prilli, 37 vetëm në javën e fundit

Fruthi vazhdon të përhapet në Kosovë. Siç njofton KosovaPress, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), nga 16 prilli deri më 15 nëntor 2026 janë konfirmuar 336 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave 37 vetëm në javën e fundit.

Rastet janë regjistruar në 24 komuna, ndërsa pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë. Sipas IKShPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara ishin të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

IKShPK thekson se fruthi është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, sidomos te fëmijët e vegjël. Vaksinimi në kohë, sipas institutit, mbron edhe foshnjat dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore.

Gjatë këtij viti, mbi 4.120 fëmijë të moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes aktiviteteve plotësuese të vaksinimit. IKShPK bën thirrje për vaksinim dhe njofton se vaksinimi plotësues vazhdon në bashkëpunim me institucionet shëndetësore për fëmijët që kanë humbur dozat.

Lini një koment