E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“Game Over” në Shkodër, zbulohet lokal me lojëra fati në Bajzë, shpërndahej dhe kokainë

“Game Over” në Shkodër, zbulohet lokal me lojëra fati në Bajzë, shpërndahej dhe kokainë

Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër operacion kundër lojërave të fatit të paligjshme dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, të koduar “Game Over”.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara mbrëmjen e së martës në një lokal në fshatin Bajzë, është zbuluar një ambient ku ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit dhe dyshohet se shitej dhe lëndë narkotike kokainë.

“Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar doza kokaine, një makinetë për lojëra fati, 4 celularë të përdorur për aktivitetin e paligjshëm, pije alkoolike të dyshuara të kontrabanduara si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga veprimtaria kriminale ndërsa në pranga ka rënë pronari i lokalit, shtetasi G. P., 26 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj”, njofton policia.

Nga verifikimet ka rezultuar se subjekti nuk ishte i regjistruar në organet kompetente kurse materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Lini një koment