E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Ganimete Musliu lëshon mbledhjen e komisionit: Kërkon që ligji për Specialen të jetë prioritet

Ganimete Musliu lëshon mbledhjen e komisionit: Kërkon që ligji për Specialen të jetë prioritet

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, lëshoi sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kundërshtuar rendin e ditës të paraparë për diskutim, siç njofton KosovaPress.

Musliu tha se Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë punët rutinë në kohën kur qytetarët po kërkojnë që prioritet të jetë çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ajo kërkoi që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të jetë prioritet i Kuvendit.

Ajo theksoi se për këtë çështje nuk duhet të ketë dallime politike ndërmjet deputetëve, duke njoftuar se nuk e voton rendin e ditës dhe nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit.

Kryetari i komisionit, Albert Kinolli, tha se shpreson që së shpejti në Kuvend të procedohet amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara, sipas informacioneve që ka marrë nga kryeministri. Ndërkohë deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të pengojë punën e këtij komisioni, pasi trajtimi i ligjit është në kompetencë të Komisionit për Legjislacion.

Largimi i Musliut vjen në një kohë kur presioni për ndryshimin e ligjit për Specialen po rritet në Kuvend dhe në rrugë, me protestat “Jo në emrin tim” që vazhdojnë çdo mbrëmje në Prishtinë.

Lini një koment