E mërkurë, 4 Nëntor 2026
54°F Detroit
Senati50 vende për shumicën
54
Demokratë
44
Republikanë
Demokratët fitojnë shumicën në Senat • 2 vende ende pa fitues të shpallur
Dhoma e Përfaqësuesve218 vende për shumicën
222
Demokratë
138
Republikanë
Demokratët fitojnë Dhomën • 75 vende ende pa fitues të shpallur
Rezultate jozyrtare, sipas projeksioneve të mediave • Përditësuar: 4 nëntor 2026, ora 04:14 (Detroit) • Të dhënat: Associated Press
Ballina›Kosova›Gjashtë vjet nga paraburgimi i Jakup Krasniqit në Hagë, djali i tij me mesazh prekës

Gjashtë vjet nga paraburgimi i Jakup Krasniqit në Hagë, djali i tij me mesazh prekës

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka përkujtuar gjashtëvjetorin e mbajtjes së babait të tij në paraburgim në Hagë, përmes një postimi të publikuar në rrjetin social Facebook.

Krasniqi ka shprehur dhimbjen për vitet e kaluara larg babait, mallin e familjes dhe pritjen e gjatë për rikthimin e tij në shtëpi.

Ai thekson se kjo herë ka qenë edhe më e vështirë për të shkruar për këtë përvjetor, pasi, sipas tij, pas 16 shtatorit gjithçka është bërë më e rëndë, ndërsa koha që po kalon nuk mund të kthehet më.

Në postimin e tij, Altin Krasniqi shpreh dhimbjen për faktin se babai i tij po i kalon vitet e pleqërisë larg familjes, duke theksuar se do të meritonte t’i kalonte ato pranë bashkëshortes, fëmijëve dhe njerëzve të dashur.

Ai gjithashtu kujton mungesën e të atit në jetën e përditshme familjare, duke thënë se shtëpia, ditët dhe gëzimet nuk janë më të njëjta pa të.

“Babë, sot u bënë 6 vjet… Asnjëherë nuk e kam pasur më të vështirë se këtë herë të shkruaj për këtë ditë”, shkruan ai në fillim të mesazhit.

Për më shumë lexoni postimin e plotë të Altin Krasniqit:

Babë, sot u bënë 6 vjet…

Asnjëherë nuk e kam pasur më të vështirë se këtë herë të shkruaj për këtë ditë. Herëve tjera, sado e rëndë ishte pritja, e mbanim një shpresë në zemër, besonim se në fund do të kishte drejtësia, se një ditë kjo padrejtësi do të merrte fund dhe ti do të ktheheshe në shtëpi. Por pas 16 shtatorit, cdo gje eshte ma e rende.

E di, babë, që je plakur. E di që je lodhur. E di se sa e vështirë është ta kalosh çdo ditë të mbyllur, larg familjes, larg shtëpisë, larg njerëzve që të duan. E di se sa shumë të kanë munguar vitet që askush nuk mund të t’i kthejë më. Dhe kjo është ajo që më dhemb më së shumti: vitet që po kalojnë, koha që nuk kthehet dhe ditët që po të ikin atje, larg nesh, në një kohë të jetës kur ti e ke merituar më shumë se kurrë dashurinë e familjes.

Ti e ke merituar, babë, që pleqërinë ta kaloje pranë mamit, në shtëpinë, mes fëmijëve e njerëzve të tu. E ke merituar t’i shijosh ditët pa brenga, ta pish kafenë në qetësi. E ke merituar të plakesh i rrethuar nga dashuria jonë, jo pas mureve që të ndajnë nga gjithçka që ke dashur e ndërtuar gjatë jetës.

Dhe besomë, babë, nuk ka dhimbje më të madhe sesa ta dish se njeriu yt po plaket larg teje, se ditët po i kalojnë pa të drejtën për të qenë pranë familjes së vet dhe se ti nuk mund t’i kthesh asnjë nga ato ditë. Do të doja të mund ta merrja sadopak nga kjo barrë mbi vete, të t’i ktheja vitet e humbura e të ta lehtësoja dhimbjen, por e vetmja gjë që mund të bëj është të të dua, të të pres dhe të mos e humb shpresën.

Qka me bo, babë… Nganjëherë jeta është aq e padrejtë, sa të detyron të bëhesh i fortë edhe atëherë kur përbrenda je copë-copë. Të detyron ta mbash kokën lart, edhe kur zemra të kërkon të ulesh e të qash. E ne do ta mbajmë kokën lart, sepse ti na ke mësuar të mos dorëzohemi, të mos e humbim dinjitetin dhe të mos e harrojmë kurrë të vërtetën tonë.

Por dua ta dish një gjë, babë: asnjë ditë larg teje nuk do të na bëjë të mësohemi me mungesën tënde. Shtëpia nuk është e njëjtë pa ty. Ditët nuk kanë të njëjtën shije dhe as gëzimet nuk janë të plota, sepse gjithmonë na mungon diçka, na mungon ti. E në çdo ditë që kalon, bashkë me shpresën për kthimin tënd, rritet edhe malli për një përqafim që po e presim prej shumë kohësh.

Sot bëhen gjashtë vjet, babë. Gjashtë vjet pritje, mall, dhimbje e lutje. Gjashtë vjet që na kanë mësuar sa shumë mund të durojë një familje kur zemrën e ka larg. E megjithatë, ne ende të presim. Ende shpresojmë. Ende besojmë se do të vijë dita kur kjo pritje do të marrë fund dhe ti do të kthehesh aty ku e ke vendin: në shtëpinë tënde, pranë mamit, pranë nesh.

Nuk e di sa gjatë do të na duhet të presim, babë, por e di se asnjë padrejtësi nuk mund ta shuajë dashurinë tonë për ty dhe asnjë mur nuk mund të na ndajë shpirtërisht.

Deri atëherë, mbaje kokën lart, babë. Ashtu siç e kemi mbajtur ne, edhe kur na është dukur se nuk kemi pasur më forcë. Ti nuk je vetëm në këtë rrugë, sepse në çdo hap tëndin janë zemrat tona, lutjet tona dhe malli ynë.

U bëfshin këto gjashtë vjet të fundit larg nesh, babë. Ne ende po presim ditën kur do të të përqafojmë sërish, jo për të të përshëndetur e për t’u ndarë, por për të mos të të lëshuar më nga krahët tanë.

Të duam pafund, babë.

Lini një koment