GJERMANI – AfD thellon epërsinë, konservatorët e Merzit zbresin në 21%
BERLIN, 27 nëntor /ATSH-DPA/ -Blloku konservator i kancelarit gjerman Friedrich Merz ka pësuar një tjetër rënie të lehtë në sondazhet e opinionit, ndërsa partia e djathtë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) vijon të kryesojë renditjen me 28% të mbështetjes.
Sipas sondazhit të “Forschungsgruppe Wahlen”, të zhvilluar për televizionin publik gjerman ZDF dhe publikuar sot, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, blloku konservator CDU/CSU do të merrte 21% të votave, një pikë përqindjeje më pak krahasuar me matjen e dy javëve më parë.
AfD ruan rezultatin prej 28%, duke mbetur në vendin e parë. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (SPD), partnere e vogël në koalicionin qeverisës të kancelarit Merz, ka shënuar një rritje me një pikë, duke arritur në 14%. Të Gjelbrit mbeten të pandryshuar në 15%, ndërsa partia E Majta (Die Linke) arrin në 10%.
Partia Liberale e Lirë (FDP), e cila mbështet politikat ekonomike liberale dhe interesat e biznesit, do të merrte vetëm 3% të votave, duke mbetur sërish nën pragun elektoral për të hyrë në Bundestag. Partitë e tjera do të grumbullonin së bashku 9% të mbështetjes, pa arritur asnjëra individualisht në 3%.
Koalicioni qeverisës pa shumicë parlamentare
Sipas rezultateve të sondazhit, koalicioni aktual qeverisës mes konservatorëve të CDU/CSU dhe socialdemokratëve të SPD nuk do të siguronte shumicën parlamentare në rast të zgjedhjeve të parakohshme.
Anketa u zhvillua nga 24 deri më 26 nëntor, me pjesëmarrjen e 1 245 votuesve me të drejtë vote, të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Të dhënat u mblodhën përmes intervistave telefonike dhe pyetësorëve online dhe konsiderohen përfaqësuese të elektoratit gjerman.
Marzhi i gabimit vlerësohet në 2 deri në 3 pikë përqindjeje. Megjithatë, autorët e sondazhit theksojnë se matjet e opinionit publik mbartin gjithmonë një shkallë pasigurie, veçanërisht për shkak të dobësimit të besnikërisë tradicionale ndaj partive dhe ndryshimeve gjithnjë e më të shpeshta të preferencave elektorale./ /Ad.Ab./ a.jor.