Gjilani fiton derbin dramatik ndaj Malishevës, Bllaca protagonist me dy gola
Gjilani ka fituar derbin e javës së 13-të në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Malishevën me rezultat 3:2 në një ndeshje plot dramë, siç njofton Telegrafi.
Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e 11-të, kur Arjol Bllaca përfitoi nga asistimi i Ardian Limanit dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.
Malisheva reagoi në fillim të pjesës së dytë: në minutën e 47-të Valmir Nafiu shënoi për 1:1, pas asistimit të Rimal Haxhiut.
Mysafirët patën mundësinë e artë për përmbysje në minutën e 73-të, kur fituan penallti, por Nafiu nuk e shfrytëzoi rastin, pasi portieri Marijan Coric reagoi shkëlqyeshëm dhe ia priti goditjen nga pika e bardhë.
Dënimi erdhi vetëm pesë minuta më vonë: në minutën e 78-të Bllaca realizoi golin e dytë personal për 2:1, ndërsa në minutën e 87-të ai ishte në rolin e asistuesit për Bleart Tolajn, i cili shënoi për 3:1.
Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të Xhemajl Ibishi ngushtoi rezultatin në 3:2, por pa ia dalë ta shmangte humbjen.
Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 22 pikëve dhe ngjitet në pozitën e katërt, ndërsa Malisheva mbetet e dyta me 27 pikë.