Gjini: Kënga nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të BE-së është fyerje ndaj Kosovës, Brukseli duhet të japë sqarim
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke e cilësuar këtë si fyerje të rëndë ndaj shtetit të Kosovës.
Në një reagim publik, Gjini ka kërkuar nga Brukseli që të japë sqarime për lejimin e interpretimit të kësaj kënge në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian, nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
“Të lejosh këngën nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së, nën organizimin e Komisionit Evropian dhe Marta Kos, është fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë. Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim”, ka shkruar Gjini.
Ai ka vlerësuar se incidenti dëshmon, sipas tij, mungesën e seriozitetit të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e lidhur këtë edhe me qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët ndërkombëtarë.
“BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët”, ka deklaruar ai.
Gjini ka kritikuar diplomacinë e Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se raportet e dëmtuara me aleatët dhe përjashtimi i Kosovës nga takimet e rëndësishme ndërkombëtare kanë krijuar hapësirë për situata të tilla.
Sipas tij, diplomacia e Kosovës duhet të ndërmarrë veprime urgjente në rrugë zyrtare për të kërkuar përgjegjësi lidhur me incidentin në Bruksel.
Ai ka paralajmëruar se pasojat e, siç e ka quajtur, papërgjegjësisë së udhëheqjes politike nuk i bartin vetëm institucionet, por i gjithë vendi./Telegrafi.