GJKKO e la në burg për 6 akuza, zbulohet vendi ku do izolohet biznesmeni Ergys Agasi!
Biznesmeni Ergys Agasi do të dërgohet në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë ndaj tij me “arrest në burg”.
Agasi do të transferohet dhe do të mbahet në ambientet e paraburgimit të Bradasheshit, ku do të vijojë qëndrimin e tij nën masën e sigurisë të caktuar nga gjykata.
Kujtojmë se një ditë më parë Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Ergys Agasin, i arrestuar më 26 gusht pas disa muajsh në arrati.
Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për aferat e dyshuara që lidhen me AKSHI-n.
Ndaj Agasit, Prokuroria e Posaçme ka ngritur gjashtë akuza, mes tyre “grup kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.
Akuzat ndaj Ergys Agasit:
-“Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”
-“Heqja e paligjshme e lirisë”
-“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”
-“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
-“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b, 258, 28/4, 287 dhe 333/a, 334 të Kodit Penal
-“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 259, pg 2 në lidhje me nenin 50, shkronja h) të Kodit Penal (sipas Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme për ndryshimin/saktësimin e cilësimit juridik dhe pasqyrimin e të dhënave në regjistër, datë 16.04.2026).
Në vendimin nr. 62, datë 28.08.2026 të ditës së djeshme (28 gusht), GJKKO ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës “arrest në burg”, të caktuar fillimisht me vendimin nr. 125, datë 15.12.2025.
Njoftimi i GJKKO për vendimin:
“1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 27.08.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit nën hetim Ergys Agasi, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin nr. 62, datë 28.08.2026, vendosi:
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ergys Agasi (me gjeneralitetet sipas pjesës hyrëse të vendimit), i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b, 258, 28/4, 287 dhe 333/a, 334 të Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 259, pg 2 në lidhje me nenin 50, shkronja h) të Kodit Penal (sipas Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme për ndryshimin/saktësimin e cilësimit juridik dhe pasqyrimin e të dhënave në regjistër, datë 16.04.2026).
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 28.08.2026 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.