Gjobat e Bashkisë për hapësirat publike, tregtarët në Korçë mbyllin aktivitetin e tyre në shenjë proteste
Një pjesë e konsiderueshme e tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin në tregun maqedonas në Korçë kanë ulur qepenat, në shenjë proteste ndaj masave administrative të vendosura nga Policia Bashkiake.
Sipas tyre, shkak janë bërë gjobat e vendosura për mosrespektimin e afateve për heqjen e tendave dhe reklamimin e mallrave në hapësirat publike.
Tregtarët thonë se nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë në kohë për shkak të mosfunksionimit të portalit e-Albania.
“Bashkia ka lënë akt-konstatime pa u marrë vesh me ne. e-Albania nuk punonte dhe afati ishte shumë i shkurtër”, është shprehur një tregtar.
Sipas tyre, reklamimi i mallrave jashtë ambienteve të dyqaneve është pjesë e zakonshme e aktivitetit tregtar dhe nuk ka penguar lëvizjen në trotuare.
Disa prej tyre shprehen se situata ekonomike është rënduar aq shumë, sa po mendojnë të mbyllin përfundimisht aktivitetin dhe të largohen jashtë vendit.
“Puna ka rënë shumë. Penalizohemi vazhdimisht dhe e vetmja zgjidhje mbetet emigrimi”, është shprehur një tregtar tjetër.
Nga ana tjetër, burime pranë Bashkisë Korçë bëjnë me dije se tregtarët janë njoftuar prej ditësh për lirimin e hapësirave publike dhe heqjen e tendave.
Sipas të njëjtave burime, për subjektet që nuk kanë zbatuar rregullat janë marrë masa administrative në përputhje me ligjin.
Situata ka rikthyer debatin mes tregtarëve dhe institucioneve vendore për mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike dhe mbështetjen ndaj biznesit të vogël.