Gjykata e apelit peshon sot vendimin e Trump për të bllokuar fondet kërkimore të Harvardit
Administrata e presidentit Donald Trump do të dalë sot të hënën para Gjykatës së Apelit të Qarkut të Parë në Boston, në një seancë gojore të caktuar për orën 9:30 të mëngjesit me kohën e lindjes së Shteteve të Bashkuara, për të kërkuar ringjalljen e planit për të anuluar mbi 2 miliardë dollarë grante federale kërkimore për Universitetin e Harvardit, siç njofton Reuters. Rasti është qendra e fushatës së Trumpit kundër universitetit më të pasur dhe më të vjetër të vendit, të cilin presidenti e ka akuzuar se është kapur nga ideologjitë e “majtas radikale”.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka përdorur një arsenal mjetesh për të riformatuar universitetet elitare: hetime për të drejtat civile, dëbime të studentëve jo-qytetarë, kërcënime për akreditimin dhe taktika të tjera. Harvard ka luftuar agresivisht në gjykatë dhe ka siguruar disa fitore — përfshirë një vendim që administrata e shqyrton veçmas të martën, i cili e ndaloi qeverinë të pengojë universitetin të presë studentë ndërkombëtarë.
Përplasja nisi në prill 2025, kur zyrtarët e administratës i dërguan Harvardit një listë me dhjetë kërkesa, mes tyre fundi i programeve të diversitetit (DEI) dhe emërimi i auditorëve të jashtëm për të monitoruar diversitetin e këndvështrimeve në departamente. Presidenti i Harvardit, Alan Garber, i hodhi poshtë kërkesat: “Asnjë qeveri — pavarësisht se cila parti është në pushtet — nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë mund të pranojnë dhe punësojnë dhe cilat fusha studimi mund të ndjekin”. Brenda orëve pas kësaj deklarate, administrata njoftoi ngrirjen e granteve federale, me arsyetimin e dështimit të pretenduar për të adresuar ngacmimin ndaj studentëve hebrenj gjatë protestave për konfliktin Izrael-Hamas — dhe përfundimisht u anuluan rreth 2.2 miliardë dollarë.
Harvard e paditi administratën, duke e quajtur masën hakmarrje ndaj fjalës së mbrojtur nga Amendamenti i Parë. Çështja iu caktua gjykatëses federale Allison Burroughs në Boston, e emëruar nga Barack Obama, e cila në një vendim 84-faqësh vitin e kaluar tha se administrata e Trumpit e përdori “antisemitizmin si tymnaje për një sulm të synuar, të motivuar ideologjikisht ndaj universiteteve kryesore të këtij vendi”. Departamenti i Drejtësisë e apeloi, duke argumentuar se “qeveria nuk është e detyruar të vazhdojë t’u japë para taksapaguesve universiteteve që kanë treguar indiferencë të qëllimshme ndaj sjelljes antisemitike dhe diskriminimit në kampus”. Administrata ka hapur veçmas tri padi të tjera kundër Harvardit, përfshirë një të hedhur poshtë nga një gjykatës në gusht.