Gjyli: Përgjegjësia e Hysenit, personale dhe institucionale
Pedagogia Arsejda Gjyli, e ftuar në emisionin “3D” të gazetarit Alban Dudushi, komentoi mënyrën se si kryeministri Edi Rama komunikoi publikisht qëndrimin lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Sipas pedagoges, qasja e Ramës është që çështja të mos interpretohet si një problem që përfshin në tërësi mekanizmin institucional, por si një rast individual që lidhet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.
“Fakti që erdhi deklarata me një lloj pompoziteti, ndryshe nga herët e tjera në komunikimin publik, dhe në mënyrën se si u pa çështja në perceptimin e opinionit publik, ishte që do të ndodhte një ngjarje ndryshe nga të tjerat. Praktikisht, nuk ishte një ngjarje ndryshe nga të tjerat.
Jep qasjen e kryeministrit ndaj sensitivitetit të ngjarjes dhe distancimin e të parit të ngjarjes si një çështje individuale penale apo si një element që përfshin mekanizmin institucional.
Gjithë fjalimi rrotullohet në dhënien e mesazhit që, pavarësisht perceptimit dhe opinionit publik dhe asaj që po kultivohet në media, çështja është individuale ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni”, tha ajo.