Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaGoditet grupi kriminal që shpërndante drogë në shkollat e Laçit, 7 në pranga

Goditet grupi kriminal që shpërndante drogë në shkollat e Laçit, 7 në pranga

Policia e qarkut të Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Perimetri 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, ku janë vënë në pranga 7 persona.

Operacioni u finalizua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në qytetin e Laçit.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie kriminale, ndalimi i 4 shtetasve dhe arrestimi në flagrancë i 2 të tjerëve, të gjithë banues në Laç, Kurbin, si të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se këta persona siguronin lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilën e ndanin në doza dhe e shitnin në zona të ndryshme në qytetin e Laçit, në disa raste edhe afër shkollave.     

Gjithashtu, gjatë operacionit, u zbulua 1 lokal ku organizoheshin lojëra fati, me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast, u arrestua pronari i lokalit, babai i 2 prej shtetasve të arrestuar, i cili nuk e kishte regjistruar subjektin dhe punonjësit, në organet kompetente. 

/tvklan.al

Lini një koment