Gonxhja: Nuk do të lejojmë cenimin e dinjitetit të punonjësve pa prova apo bazë ligjore
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka reaguar sot pas kritikave dhe akuzave të adresuara ndaj institucionit që drejton dhe, veçanërisht, ndaj punonjësve të institucioneve të varësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja vlerëson punën e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), duke e cilësuar atë një model shërbimi, profesionalizmi dhe funksionimi me zero burokraci.
Ai thekson se rezultatet e arritura janë produkt i një pune kolektive, të shoqëruar me sakrificë, përkushtim dhe drejtim, ndërsa veçon rritjen e volumit të praktikave të zgjidhura, suksesin e programeve e projekteve dhe ndërhyrjet për trashëgiminë kulturore dhe rijetësimin e historisë.
“Unë dhe ministria që drejtoj nuk jemi refraktarë ndaj asnjë kritike, auditi, kontrolli apo kërkese llogarie”, shprehet Gonxhja, duke shtuar se nuk do të lejohet cenimi i dinjitetit të punonjësve “pa asnjë provë, pa asnjë bazë apo arsye të ligjshme”.
Ministri Gonxhja i cilëson këto sulme të pabazuara dhe thekson se ripublikimi i të njëjtave pretendime në portale të ndryshme nuk i jep legjitimitet një lajmi të rremë.
Gonxhja deklaron se Ministria do të vijojë punën për rezultate konkrete në sektorin e turizmit, kulturës dhe sportit, duke paralajmëruar njëkohësisht reagim ndaj asaj që e quan “baltë të fabrikuar” dhe sulme të organizuara.
“Do gjejmë kohën jo vetëm të punojmë energjikisht për rekorde punësh të mira për vendin, sektorin dhe misionin tonë ekzekutiv e politik, por edhe për t’u grisur maskat dhe fletëgjobat tërë regjive okulte e frëngjive urrejtëse të mirëqeverisjes dhe të zhvillimit!”, shkruan ministri Gonxhja.