Gustav Majer, albanologu që hodhi themelet e studimit shkencor të gjuhës shqipe
Më 25 nëntor të vitit 1850, në Gros Strehlitz të Gjermanisë, lindi Gustav Majer (Meyer), gjuhëtari dhe albanologu i shquar gjerman që shënoi një kthesë rrënjësore në studimin e gjuhës shqipe.
Albanologu i njohur austriak dhe profesori i Universitetit të Gracit, Gustav Majer, studioi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht etimologjinë dhe fonetikën historike. Nga pena e tij doli fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe, i cili ruan vlera shkencore edhe sot.
Falë punës së këtij albanologu të shquar, gjuhësia shqiptare zuri vendin që i takonte në studimet indoevropiane dhe në veprat shkencore kushtuar gjuhës shqipe.
Ai studioi me imtësi rrënjët e fjalëve, tingujt dhe strukturën e shqipes. Përmes veprave të tij themelore, si “Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache” (“Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, 1891) dhe “Kurzgefasste albanesische Grammatik” (“Gramatika e përmbledhur e shqipes”, 1888), si dhe gjashtë vëllimeve të njohura “Albanesische Studien” (“Studime shqiptare”, Vjenë, 1883–1897), ai vendosi bazat mbi të cilat u mbështetën gjuhëtarët e mëvonshëm.
Gustav Majeri mbrojti tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe dhe përcaktoi shkencërisht vendin e saj si një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane. Ai vuri në dukje edhe praninë e një numri të madh fjalësh shqipe në gjuhën greke. Përmes kërkimeve të tij rigoroze, ai përcaktoi vendin e veçantë të shqipes si degë më vete brenda familjes së gjuhëve indoevropiane.
Gustav Majeri u nda nga jeta më 27 shkurt 1900, në Grac të Austrisë.