E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›HAGË – “Europol”, operacion ndërkombëtar kundër falsifikimit të ushqimeve, sekuestrohen produkte me vlerë 80 milionë euro

HAGË – “Europol”, operacion ndërkombëtar kundër falsifikimit të ushqimeve, sekuestrohen produkte me vlerë 80 milionë euro

HAGË, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Një operacion ndërkombëtar kundër mashtrimit me produktet ushqimore ka çuar në arrestimin e 79 personave të dyshuar dhe shkatërrimin e 18 grupeve të organizuara kriminale, njoftoi sot “Europol”, agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin policor.

Gjatë operacionit gjashtëmujor, ku morën pjesë 57 vende dhe që u mbështet nga Komisioni Evropian dhe “Interpol”-i, u sekuestruan produkte ushqimore me vlerë afro 80 milionë euro, bëri të ditur “Europol” sot në Hagë.

Hetuesit sekuestruan gjithashtu, më shumë se 500 mijë produkte të falsifikuara, rreth 230 mijë litra pije të manipuluara dhe afro 1,7 milionë kilogramë produkte ushqimore, që nuk përmbushnin standardet e kërkuara.

Produktet më të prekura nga mashtrimi, ishin mishi, pijet alkoolike, frutat dhe perimet.

Sipas “Europol”, grupet kriminale përdornin metoda të ndryshme mashtrimi.

Ato përzienin vajin me përbërës të tjerë për të ndryshuar cilësinë e tij, ndërsa verërave të lira, u vendosnin etiketa të falsifikuara për t’i shitur si produkte të shtrenjta.

Gjithashtu, ushqimet që kishin kaluar datën e skadencës, madje edhe ato të prishura, ripaketoheshin dhe pajiseshin me etiketa të reja, për t’u hedhur sërish në treg.

“Europol” paralajmëroi se mashtrimi me produktet ushqimore, përbën një kërcënim serioz për shëndetin publik.

“Ushqimet e falsifikuara ose të manipuluara mund të shkaktojnë sëmundje, të cenojnë standardet e sigurisë ushqimore dhe të shtrembërojnë konkurrencën në treg”, theksoi agjencia në një deklaratë. /

Lini një koment