Hajrizi: AI nuk do ta zëvendësojë profesorin, por do ta ndihmojë studentin
Edmond Hajrizi, rektor dhe themelues i UBT-sw, ka folur për rolin e inteligjencës artificiale në arsim dhe mënyrën si teknologjia po ndryshon universitetet dhe tregun e punës
Sipas tij inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi dhe universitetet, ndërsa institucionet arsimore po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve të reja digjitale dhe të personalizuara të mësimit.
Në “Përballje Podcast”, Hajrizi, foli për projektet dhe risitë që po zhvillohen në UBT në fushën e inteligjencës artificiale dhe arsimit digjital.
Sipas tij, UBT tashmë ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.
“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës që ka mbështetje nga inteligjenca artificiale, domethënë studenti me pasë një profesor të bazuar në inteligjencë artificiale”, deklaroi Hajrizi.
Ai tha se ky “profesor virtual” do të jetë në dispozicion të studentëve në çdo kohë, duke ofruar përgjigje, shpjegime dhe mbështetje të personalizuar sipas nevojave të secilit student.
– YouTube www.youtube.com
“Është për ty në çdo moment, çdo kohë, njëzet e katër për shtatë. Të jep mbështetje, të jep përgjigje, të shpjegon, të ligjëron, mbi bazën që është e personalizuar për ty”, u shpreh ai.
Sipas Hajrizit, ky model i ri i mësimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së arsimit, duke u mundësuar studentëve qasje më të lehtë dhe më të vazhdueshme në dije dhe mësim.
“Unë mendoj që kjo e rrit produktivitetin dhe e rrit mundësinë që studentët të kenë qasje në mësim dhe mbështetje shumë më të madhe”, tha ai.
Hajrizi theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet parë si zëvendësim i plotë i profesorëve, por si një vegël mbështetëse që ndihmon studentët dhe procesin mësimor në një epokë ku teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e arsimit dhe tregut të punës.