Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaBotaHap i ri në luftën kundër kancerit të pankreasit: Pilula e re rrit jetëgjatësinë e pacientëve

Hap i ri në luftën kundër kancerit të pankreasit: Pilula e re rrit jetëgjatësinë e pacientëve

– Një pilulë e re kundër kancerit të pankreasit pothuajse mund të dyfishojë mbijetesën e pacientëve me sëmundje metastatike.

Një trajtim i ri eksperimental në formën e një pilule ditore, ka sjellë rezultate premtuese për pacientët me një nga format më agresive të kancerit.

Ilaçi “daraxonrasib” ka treguar se mund të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve me kancer të pankreasit, duke pothuajse dyfishuar kohën mesatare të mbijetesës krahasuar me kimioterapinë standarde.

Rezultatet vijnë nga studimi klinik ndërkombëtar, i publikuar në revistën prestigjioze shkencore “New England Journal of Medicine”. 

Studimi u drejtua nga onkologë ndërkombëtarë, përfshirë Eileen M. O’Reilly, dhe përfshiu 500 pacientë me adenokarcinomë duktale metastatike të pankreasit (mPDAC), të cilët kishin marrë më parë trajtime kundër sëmundjes.

Studimi u zhvillua në disa qendra kërkimore dhe spitale në vende të ndryshme të botës. 

Pacientët u ndanë në mënyrë rastësore në dy grupe: 248 prej tyre morën “daraxonrasib”, ndërsa 252 pacientë u trajtuan me kimioterapi sipas zgjedhjes së mjekëve.

Rezultatet kryesore të studimit

Pacientët që morën “daraxonrasib” patën një mbijetesë mesatare prej: 13,2 muajsh me “daraxonrasib” dhe 6,7 muajsh me kimioterapi.

Kjo do të thotë se ilaçi pothuajse dyfishoi kohën mesatare të mbijetesës në krahasim me trajtimin standard.

Rreziku i vdekjes ishte gjithashtu dukshëm më i ulët te grupi që mori ilaçin e ri.

Ilaçi tregoi përfitime edhe në kontrollin e përparimit të sëmundjes

Pacientët që morën “daraxonrasib” jetuan mesatarisht 7,2 muaj pa përkeqësim të kancerit, ndërsa ata që morën kimioterapi rreth 3,6 muaj.

Si funksionon “daraxonrasib”?

Kanceri i pankreasit është veçanërisht i vështirë për t’u trajtuar sepse në më shumë se 90% të rasteve, përfshin ndryshime gjenetike në rrugën RAS, veçanërisht mutacionet e gjenit KRAS. 

Për dekada, këto mutacione konsideroheshin ndër objektivat më të vështira për krijimin e ilaçeve kundër kancerit.

“Daraxonrasib” është një inhibitor oral multiselektiv, që synon proteinat RAS në formën e tyre aktive, të cilat luajnë një rol kyç në rritjen dhe mbijetesën e qelizave kancerogjene.

Duke bllokuar këtë mekanizëm, ilaçi synon të ngadalësojë rritjen e tumorit.

Kush e krijoi ilaçin?

Studimi u mbështet financiarisht nga kompania bioteknologjike “Revolution Medicines”, e cila krijoi “daraxonrasib”. 

Ilaçi është ende në procesin e vlerësimit rregullator dhe nuk konsiderohet ende një kurë për kancerin e pankreasit.

Rëndësia e zbulimit

Ekspertët e konsiderojnë këtë rezultat, një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e kancerit të pankreasit, një sëmundje ku përparimi terapeutik ka qenë shumë i kufizuar për shumë vite. 

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten të dhëna afatgjata për të kuptuar më mirë efektet e ilaçit dhe kohëzgjatjen e përfitimit te pacientët. /

Lini një koment