“Hapat e parë me protestuesit janë hedhur”- Gonxhe: Takova të rinjtë, mbajtëm shënime, erdhën me dëshirë! Nuk e ref
Hapat e para të dialogut me protestuesit janë hedhur.
Ministri Blendi Gonxhja thotë se është takuar me të rinj, ku mes tyre ka pasur edhe nga ata që kanë marrë pjesë në protestë, të cilët janë shprehur pa asnjë kufizim e kompleks për shqetësimet e tyre.
Nga takimet janë mbajtur shënime dhe kjo do të vijojë me një plan konkret veprimi, thotë ministri në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Gonxhja shton se ky takim është paraprirë nga të tjerë me përfaqësues të OJF-ve.
“Aty kishte djem dhe vajza që kanë qenë vazhdimisht në protestë. Ata nuk përfaqësonin një grupim të caktuar, por veten e tyre. Ata folën hapur, patëm një dialog shumë konstruktiv. Me shumë përulësi e kujdes, jam munduar që të ishim aty për të kuptuar gjithmonë e më shumë nga sentimenti i atij brezi, si e shohin ata atë që artikulohet si humbje e besimit te institucionet. Ata shohin mure, kanë shqetësime me mosdëgjimin e shumë prej institucioneve e strukturave që janë shumë afër tyre, por shpesh jo të depërtueshme prej tyre. Shqetësimet e tyre u shprehën në mënyrën më të artikuluar të mundshme, jam i impresionuar nga sa vlerë kishte ky takim.
Tryeza është e barabartë. Të gjithë kanë folur pa asnjë lloj limiti ore për çfarëdo kanë pasur, për eksperiencat dhe shqetësimet e tyre, pa asnjë kufizim. Ishte formë shumë e bukur dialogu. Kemi një listë me shënime. Kjo do të përkthehet në plan veprimi, që më pas mund të përkthehet në një verifikim, ndoshta edhe në qytete të tjera. Ka pasur takime edhe javën e shkuar dhe përpara saj nga përfaqësues të OJF-ve. Unë mbuloj 4 portofolë që kanë të bëjnë me rininë. S’ka qenë një takim as detyrues, as moralizues, as të kishte shtet e qeveri që i flet dhe u jep mend të rinjve. S’ka qenë një takim që ne mund të justifikonim pozicionin tonë”, tha Gonxhja.
Pjesëmarrja e Erion Veliajt në Asamblenë e Partisë Socialiste nuk është çështje për të cilën vendimmarrja i takon kësaj të fundit, thotë ministri Blendi Gonxhja.
Ai ndau keqardhje e solidaritet për kryebashkiakun, i cili ndodhet në spitalin e burgut të Fierit.
“Kush nuk ndihet i keqardhur për situatën ku ndodhet Veliaj dhe për situatën shëndetësore, nuk diskutohet nga pikëpamja e solidaritetit njerëzor. Në çdo aspekt, heqja e lirisë dhe së drejtës për të marrë pjesë në aktivitete dhe funksionin e tij normal të zgjedhur dhe të fituar nuk kalon nga PS. Janë sqaruar me tërë solidaritetin e ndjeshmërinë tonë, nuk ka lidhje me ne. Duhet të rregullohet në raportin ligjor me ata që mbrojnë të drejtat e Veliajt”, tha Gonxhja në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.
Gonxhja shmangu komentet për ‘luftën’ Rama-Veliaj pas akuzave të kryebashkiakut, duke e vënë theksin te paraburgimi i tij që e quan “kosto elektorale”.
“Jam shumë i keqardhur që kemi këtë avari që rëndon mbi eficencën e menaxhimit të kryeqytetit. Ne jetojmë në këtë qytet. E njoh shumë mirë bashkinë e Tiranës dhe aparatin e saj. Kjo avari e rëndë që kryetari është në paraburgim, i kushton shumë kryeqytetit. Ka edhe kosto elektorale sepse qyteti ka goxha kohë që nuk ka kryetarin e vet në zyrë. Nuk zëvendësojmë dot gjykatat”, tha Gonxhja.
I pyetur nëse do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, ministri tha se s’ka asnjë ambicie e projekt personal, por do t’i përgjigjej Partisë Socialiste nëse do t’ia kërkonte diçka të tillë.
“Gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, lutur, që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos. Unë jam një prej shumë deputetëve të PS, jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën. Si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, projektin. Nëse PS do të kishte një projekt, nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi. Ka shumë rëndësi që të kemi zgjedhje të mira, të kemi zgjidhur këtë problematikë që kemi para nesh dhe që duhet ta kanalizojmë në një energji që t’i japë të mira vendit dhe mos ta dëmtojë Tiranën”, tha Gonxhja.