Hapi i radhës drejt integrimit, Qeveria ngre mekanizmin ligjor për buxhetin e përbashkët evropian
Shqipëria ka hedhur një hap të ri në përgatitjet teknike dhe administrative për integrimin evropian. Ministria e Financave ka hartuar projektligjin “Për kontributin kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Evropian”, një dokument që ngre infrastrukturën ligjore për mënyrën se si vendi ynë do të llogarisë, planifikojë dhe paguajë detyrimet e tij financiare pas hyrjes me të drejta të plota në union.
Nisma vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj detyrimeve të Kapitullit 33 të negociatave, i njohur si “Dispozitat financiare dhe buxhetore”. Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë së Financave, deri më sot ka munguar një kuadër ligjor horizontal që të rregullojë mekanizmat ndërinstitucionalë për këtë proces.
Dokumenti thekson se miratimi i këtij ligji garanton “përgatitjen e institucioneve shtetërore për zbatimin e acquis communautaire në fushën e Burimeve të Veta”, duke pasur si synim kryesor minimizimin e “rrezikut të korrigjimeve financiare, penaliteteve apo interesave të vonesës” që mund t’i kushtonin shtrenjtë buxhetit të shtetit nga raportimet e pasakta.
Projektligji, i strukturuar në 22 nene, mandaton Ministrinë e Financave si Autoritetin Kombëtar Koordinues. Megjithatë, procesi do të kërkojë një bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera kyçe, duke përfshirë Institutin e Statistikave (INSTAT), Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrinë përgjegjëse për mjedisin. Për të shmangur fragmentimin e të dhënave, nisma ligjore parashikon ngritjen e “Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të Bashkimit Evropian”, e cila do të shërbejë si një sistem i unifikuar që siguron integritetin dhe gjurmueshmërinë e informacionit statistikor e doganor sipas standardeve evropiane.
Lidhur me efektet në buxhetin e shtetit, relacioni i firmosur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaron se faza e para-anëtarësimit nuk do të sjellë kosto të drejtpërdrejta financiare për qytetarët. Nevojat për përmirësimin e sistemeve informatike dhe trajnimin e administratës pritet të mbulohen nga buxhetet ekzistuese të institucioneve, si dhe përmes “fondeve të asistencës së para-anëtarësimit dhe instrumenteve të tjera mbështetëse të Bashkimit Evropian”.
Pagesat e mirëfillta të Shqipërisë drejt buxhetit të përbashkët evropian do të aktivizohen zyrtarisht vetëm në momentin kur vendi të fitojë statusin e anëtarit të plotë të Bashkimit Evropian.
Më poshtë paraqiten pikat kryesore të projektligjit