Monday, 14 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaHarry Bajraktari: Tërheqja e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President, lajm i keq për Kosovën

Harry Bajraktari: Tërheqja e Bekim Sejdiut nga kandidatura për President, lajm i keq për Kosovën

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka shprehur zhgënjimin e tij për tërheqjen e Prof. Dr. Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Bajraktari e ka cilësuar këtë zhvillim si “lajm të keq për popullin e Kosovës”, duke kritikuar deputetët për dështimin për ta zgjidhur bllokadën politike.

“Më ka mërzitur shumë tërheqja e Prof. Dr. Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Kosovës. Ky është lajm i keq për popullin e Kosovës, që po priste zgjidhje e jo lojëra politike”, ka shkruar Bajraktari.

Ai ka thënë se Kosova e ka humbur mundësinë për të pasur një president profesional e të përgatitur, si dhe për të zgjidhur krizën politike dhe për të krijuar institucione funksionale.

“Fatkeqësisht deputetët dështuan, nuk e kryen punën për çka i kanë marrë votat e popullit. Nuk e vendosën Kosovën të parën, por vazhduan me kalkulime politike”, ka deklaruar ai.

Bajraktari ka theksuar se komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miqtë e Kosovës në Washington prisnin që procesi të sillte zgjidhje për vendin.

“Unë nuk e di se si do t’ia bëjnë politikanët tanë që ta nxjerrin vendin nga ky lëmsh ku e kanë futur. Është për të ardhur keq”, ka shkruar ai.

Në fund, veprimtari shqiptaro-amerikan ka kritikuar klasën politike për dëmtimin e së ardhmes së Kosovës, duke theksuar se një qasje e tillë nuk e nderon sakrificën e popullit të Kosovës dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe miqve ndërkombëtarë.

“Kështu po dëmtohet seriozisht e ardhmja e Kosovës”, ka përfunduar Bajraktari, duke e mbyllur postimin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”./Telegrafi/

Lini një koment