Haxhiu nesër në Bruksel për Konferencën Botërore për e-Parlamentin, takohet edhe me Metsolën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, udhëton nesër për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin, siç raporton KosovaPress.
Konferenca mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Parlamentin Evropian dhe organizohet nga Unioni Ndërparlamentar në bashkëpunim me Parlamentin Evropian.
Në të marrin pjesë deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga e gjithë bota, ndërsa tema qendrore është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Haxhiu do të takohet me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryetarin e Senatit belg, Vincent Blondel, deputetë të PE-së dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Në këto takime, sipas KosovaPress, do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.